Nishani, Haradinaj: Të sinkronizojmë punën për arritjen e objektivave të përbashkët

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani priti sot në një takim udhëheqësin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ish-Kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj, i cili viziton Tiranën me ftesë të Kryeministrit Berisha, pas vendimit të Gjykatës së Hagës dhe lirimit nga akuzat.Presidenti Nishani vlerësoi maksimalisht kontributin e zotit Haradinaj si luftëtar, në drejtimin e njësive të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë luftës për çlirimin e saj; rolin e tij si politikan në ndërtimin e institucioneve demokratike të shtetit të Kosovës si dhe vendosmërinë dhe ndershmërinë në përballjen dinjitoze me drejtësinë ndërkombëtare, e cila dha një ndihmesë të çmuar në imazhin e vërtetë të luftës çlirimtare të popullit të Kosovës të mbështetur nga partnerët ndërkombëtarë, pasi ishte një luftë e drejtë për liri.Kreu i Shtetit e cilësoi përballjen dinjitoze të Ramush Haradinaj në Gjykatën e Hagës si ngritje në dinjitetin e merituar të luftës së UÇK-së dhe vijim të rezistencës dhe sakrificës së qytetarëve të Kosovës që ranë për idealin më të lartë të kombit, lirinë.Ish-Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj pasi e falenderoi Presidentin Nishani për konsideratën e lartë, e siguroi se do të vazhdojë të kontribuojë me konstruktivitet në politikën e Kosovës për të ecur përpara për ndërtimin e shtetit të së drejtës dhe integrimin euroatlantik.Presidenti Nishani dhe zoti Haradinaj ndanë të njëjtin mendim për rritjen e mundësive, krijimin e hapësirave të përbashkëta për të forcuar bashkëpunimin me synim zhvillimin ekonomik dhe fuqizimin e faktorit shqiptar në rajon.Presidenti Nishani dhe ish-Kryeministri i Kosovës, Haradinaj pasi shkëmbyen mendime në lidhje me situatën në vendet tona dhe në rajon u shprehën në një mendje se duhen harmonizuar dhe sinkronizuar përpjekjet për arritjen e objektivave të përbashkëta, për integrimin euroatlantik të Shqipërisë dhe Kosovës.