Presidenti Nishani dekoron Haradinajn me Urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani nderoi sot me Urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” komandantin legjendar të UÇK-së, ish-kryeministrin dhe Kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, me motivacionin:“Për merita të shquara dhe kontribut të jashtëzakonshëm në organizimin dhe udhëheqjen e spikatur të qëndresës së pashembullt e luftës legjendare të njësive të Ushtrisë për Çlirimin e Kosovës për mbrojtjen dhe shpëtimin e jetëve e të pasurive të popullatës civile shqiptare e të integritetit territorial të trojeve shqiptare dhe për çlirimin e plotë të Kosovës. Për kontribut të çmuar, si Kryeministër i Kosovës dhe politikan i përkushtuar, në përpjekjet për rindërtimin e Kosovës dhe konsolidimin e institucioneve demokratike e të shtetit ligjor, si dhe të një shoqërie të hapur që garanton respektimin e plotë të të drejtave të individit e minoriteteve, për mbështetjen dhe kontributin në shpalljen e Pavarësisë së Republikës së Kosovës dhe njohjen ndërkombëtare të saj. Për sakrificën e jashtëzakonshme e paradigmatike, në shërbim të drejtësisë ndërkombëtare dhe lartësimit të të vërtetave e luftës heroike e të drejtë çlirimtare të shqiptarëve në Kosovë. Për mbështetjen dhe angazhimin e vazhdueshëm në shërbim të konsolidimit të lidhjeve vëllazërore dhe zgjerimit e thellimit të bashkëpunimit në të gjitha fushat ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës e për projektin madhor të bashkimit kombëtar e integrimit në Bashkimin Evropian”.Në fjalën përshëndetëse të rastit, Kryetari i Shtetit shqiptar çmoi lart veprimtarinë dhe kontributin e paçmuar patriotik e kombëtar të zotit Haradinaj.“Është kënaqësi që në emër të qytetarëve të Shqipërisë, të vlerësojmë dhe t’i shprehim mirënjohjen njërit prej burrave shqiptarë të përkushtuar të kohëve moderne të Shqipërisë, zotit Ramush Haradinaj, i cili së bashku me bashkëluftëtarët e tij në Kosovë diti t’i dalë zot vendit të tij, popullit të tij, trojeve të shqiptarëve, dinjitetit të shqiptarëve dhe të ndeshet me një makineri të egër, që synonte spastrimin etnik, që ushtronte gjenocidin ndaj një populli, ndaj qytetarëve, ndaj një vendi. Por, gjithashtu diti në përmasat e një burri shteti të punojë fort me mjaft bashkëpunëtorë të tij të ngushtë, politikanët dhe institucionet e Kosovës në konsolidimin e një shteti të ri, që po përparonte me shpejtësi drejt gjithë atyre standardeve të demokracisë për një shtet evropian. Por, gjithashtu kurrë nuk i iku përballjeve, rezistencës, duke bërë të mundur që edhe përmes transparencës, kurajës, përballjes me Gjykatën e Hagës të ruante të pacënuar, të ruante të paprekur dinjitetin e një lufte rezistente, dinjitetin e një lufte çlirimtare, dinjitetin e një lufte së bashku me partnerët më të mirë të shqiptarëve”, theksoi Presidenti i Republikës.Në vijim, pas leximit të dekretit presidencial nga Sekretari i Përgjithshëm, Bardh Spahia, Presidenti Nishani i dorëzoi Urdhrin e lartë Ramush Haradinajt, i cili, përmes emocionesh të veçanta shprehu falenderim për Kryetarin e Shtetit shqiptar për vlerësimin e lartë.“Është sfidë e madhe për mua sot dhe kam një ndjenjë jo të zakonshme të marr një nderim të këtillë dhe një përjetim, të cilin ua dedikoj të gjithë atyre, që kanë kontribuar për lirinë e Kosovës e që jemi të gjithë ne dhe të gjithë atyre që kanë kontribuar në rrugëtimin tonë deri këtu. Njëkohësisht, këtë nderim e pranoj si marrje të obligimit që të rrugëtojmë më tutje së bashku për të mirën e shqiptarëve kudo që janë dhe po ashtu për zotësinë tonë që të marrim garant komunitetet etnike, që jetojnë në hapësirat tona, ashtu si shqiptarët e kanë traditë”, u shpreh ish-Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.