Shqipëria jashtë BE? Rama: Statusi, vetëm pas zgjedhjeve të lira dhe të ndershme
Argumentat me të cilët diplomatët perëndimorë do të justifikojnë mos dhënien e statusit për vendin tonë do të duan një analizë të thellë. Kështu ka vlerësuar kryesocialisti Edi Rama pas sinjaleve të ardhura nga Brukseli, të cilat me shumë gjasa nuk do t'i hapin vendit tonë driten jeshile ne takimin e javes qe vjen. Sipas Ramës statusi i vendit kandidat për Shqipërinë do të mund të merret vetëm pas zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe luftës me kompromis zero ndaj korrupsionit, duke u shprehur besimplotë se pas 2013 do të jetë PS ajo që do të marrë në dorë situatën e fatit të integrimit të vendit në familjen europiane.“Sigurisht që nuk është një lajm i mirë, por nga ana tjetër ajo çka lajmësit do të shprehin si argument për mos marrjen parasysh të aplikimit të Shqipërisë për statusin e kandidatit, do duhet lexuar me shumë kujdes, në çdo rresht për të kuptuar se statusi i kandidatit është një status që Shqipëria mund ta marrë kur të zhvillojë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Është një status që Shqipëria mund ta marrë kur të japë prova të prekshme të vullnetit për të luftuar kulturën e pandëshkueshmërisë, korrupsionin dhe krimin e organizuar. E sigurisht, Shqipëria, fatkeqësisht, vetëm pak ditë përpara dha një kundërprovë rrëqethëse me rënien në nivelin e Etiopisë dhe Nigerisë në tabelën e Transprancës Ndërkombëtare pranë e pranë me këto dy simbole të korrupsionit. E, padyshim, është një status që Shqipëria do ta marrë pas zgjedhjeve të ardhshme, sepse ne jemi shumë të vendosur që të mos e lëmë më Shqipërinë të zvarritet në rrugën e rrënimit të mëtejshëm”-tha ai.Komentet për statusin, Rama i bëri gjatë konferencës së përbashkët me kreun e AAK Ramush Haradinaj, pas një takimi që pati me të në selinë e PS. Kryesocialisti e vlerësoi edhe njëherë pafajësinë e Haradinaj, si një triumf i luftës së Kosovës dhe UÇK, ndërsa tha se diskutoi me liderin e AAK një sërë cështjesh me rëndësi të dy shteteve, për ti paraprirë një projekti konkret për bashkimin kombëtar të Kosovës dhe Shqipërisë nën qiellin e një Europe të bashkuar.“Dua të përsëris edhe një herë tjetër që pafajësimi i Ramush Haradinaj si një nga protagonistët e mëdhenj të Luftës Çlirimtare është më shumë se pafajësimi i një individi protagonist. Është pafajësimi i vetë luftës çlirimtare të Kosovës dhe i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kemi biseduar për atë që na pret në vijim, për atë që na pret si shqiptarë, si komb, për atë që na pret si Shqipëri dhe si Kosovë, për atë që na pret si sfidë për forcat politike respektive. Unë kam ndarë me mikun tonë të çmuar, dhe shumë të posaçëm, sot këndvështrimin e Partisë Socialiste lidhur me domosdoshmërinë për të ndërtuar një projekt të përbashkët konkret mes dy shteteve, mes dy qeverive. Për të pasur një udhërrëfyes në një proces drejt bashkimi kombëtar, si një bashkim i shqiptarëve nën qiellin e Europës së Bashkuar. Për t’i paraprirë procesit të pandalshëm me një projekt kombëtar, i cili të përfshijë sistemin e unifikuar arsimor për fëmijët e Shqipërisë dhe të Kosovës; sigurinë energjetike të shqiptarëve këtej dhe andej kufirit; një ofertë turistike të unifikuar, e cila vetvetiu për shkak të karakteristikave që kanë të dy anët e kufirit është një ofertë shumë e gjerë dhe atraktive. Sigurisht, një projekt të përbashkët zhvillimi duke përfituar nga kapacitetet që ka territori shqiptar, këtej dhe andej kufirit, për një zhvillim rural të qëndrueshëm edhe në funksion të një sovraniteti ushqimor, gjithmonë e më të domosdoshëm, në kohën e sotme e, që nënkupton edhe bashkimin doganor mes dy shteteve. Këto ishin pak a shumë ato që do të veçoja nga biseda jonë shumë vëllazërore, shumë miqësore dhe shumë inkurajuese, pasi sot Kosova ka një protagonist më shumë në përpjekjen e vet, sigurisht dhe ne kemi një interlokutor më shumë në Kosovë”tha ai.Nga ana tjetër Haradinaj u shpreh se ndihet i nderuar që rikthehet në Shqipëri në kuadër të 100 vjetorit të pavarësisë, po kështu nder që kthehet për vizitë edhe në selinë e PS.“Është nder për mua të jem prapë në selinë e Partisë Socialiste të Shqipërisë, të takoj kryetarin zotin Edi Rama, kolegë të kryesisë së Partisë Socialiste. Po ashtu, të bisedoj edhe për shumë tema me interes për shqiptarët e Shqipërisë, të Kosovës dhe të gjithë ne në rajon. E vërteta është që ne e kemi qartësi për rrugën para nesh. Të gjithë ne jemi përcaktuar për integrimet europiane, për një rajon në paqe, për marrëdhënie të mira fqinjësore. Por ajo që është me rëndësi dhe që e kemi synim të gjithë, është përmirësimi i jetës së qytetarëve dhe një zhvillim ekonomik i qëndrueshëm. Tashmë, biseduam edhe për mënyrat sesi mund të avancohet më tej, sesi mund të rritet më shumë shkëmbimi i ndërsjelltë për të mirën e qytetarëve tanë. Duke qenë se jemi edhe në përvjetor të 100-të të shtetit shqiptar ishte dhe një ndjenjë e veçantë përmes së cilës ne kujtojmë gjithë rrugën tonë të mundimshme deri këtu, por edhe dëshirën me arritjet e suksese të reja për qytetarët” -u shpreh Haradinaj.Më tej kreu i AAK shprehu mirënjohje të thellë edhe ndaj Vlorës për dhënien e titullit “Qytetar Nderi” i qytetit të pavarësisë, ndërsa shtoi se në një moment të caktuar do të vizitojë personalisht këtë qytet.