Shuhet këngëtari Hysen Koçia, Basha: Sot nderojmë veprën dhe artin e tij

Tirana i dha lamtumirën artistit të merituar dhe baritonit të TKOB, Hysen Koçia, i cili ndërroi jetë në moshën 70-vjeçare, në kryeqytet. Kryetari i Bashkisë së Tiranës dhe njëherësh kryetar i PD, Lulzim Basha ka bërë homazhe, në nderim të baritonit të TKOB dhe këngëtarit të muzikës popullore, Hysen Koçia ."Një nga artistët themelues të Teatrit të Operës dhe Baletit u nda mbrëmë nga jeta. Hysen Koçia (Artist i Merituar) e kaloi të gjithë jetën e tij duke i dhuruar vendit, shoqërisë, artdashësve, veprën, artin e tij, ndaj mendoj se sot është detyrim i gjithsecilit prej nesh ta nderojmë e ta respektojmë atë, kujtimin dhe veprën e tij. Duke i shprehur ngushëllimet më të ndiera familjes, kolegëve, bashkëpunëtorëve dhe artdashësve të tij e të veprës së tij, shpreh bindjen se vepra, puna e tij do të mbetet gjithmonë e paharruar dhe e nderuar nga shoqëria, nga shqiptarët, nga artdashësit" - u shpreh Basha.Gjatë gjithë karrierës së tij artistike, deri në vitin 2000 kur edhe  doli në pension, artisti i merituar, Hysen Koçia realizoi në skenën e TOB me dhjetëra role dhe kryerole të literaturës operistike shqiptare dhe botërore,  si dhe qindra koncerte vokale dhe recital , brenda dhe jashtë vendit. Hysen Koçia ka marrë pjesë aktive në pothuaj të gjitha aktivitetet kryesore, të jetës muzikore shqiptare, në Koncertet e majit, konkurset e këngëtarëve lirikë , festivalet e romancave dhe Festivalet e këngës në RTSH, etj. Karriera e tij e gjatë artistike është nderuar me shumë çmime lokale dhe kombëtare,  si u vlerësuar dhe me titullin më të lartë, Artist i Merituar.