Kerry-Lavrov, sot ballë për ballë SHBA dhe Rusia tentojnë zgjidhje politike për Ukrainën
Në një kohë që Washingtoni dhe Moska zyrtare po punojnë në përpjekje për të gjetur një zgjidhje për krizën në Ukrainë, sonte në mbrëmje do të takohen në Paris dy kryediplomatët, Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry dhe Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov.Presidenti amerikan Barak Obama po i bën thirrje udhëheqësit rus Vladimir Putin të largojë trupat nga zona kufitare me Ukrainën. Kryediplomatët Kerry dhe Lavrov, do të takohen në rezidencën e ambasdorit rus sot, pas një bisede telefonike që zhvilluan të premten Presidenti Putin dhe Presidenti Obama lidhur me nevojën për një zgjidhje diplomatike të krizës në Ukrainë. Shtëpia e Bardhë thotë se Obama i tha presidentit rus se Moska duhet të tërheqë trupat dhe të mos futet më thellë në Ukrainë. Kremlini thotë se presidenti rus po sugjeron "hapa të mundshëm që mund të ndërmarrë komuniteti ndërkombëtar për të qetësuar situatën".Në bashkëpunim me qeverinë e përkohëshme në Kiev, Washingtoni po i bën presion Rusisë të hapë bisedimet për të zbutur tensionet dhe për të lejuar vëzhguesit ndërkombëtarë në rajonin e Krimesë për të garantuar sigurinë e ukrainasve atje. Shpresat për përparim në zgjidhjen e këtij ballafaqimi mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë pason premtimin e Moskës se për momentin nuk ka plane përtej aneksimit të Krimesë.Lavrov foli dje në televizionin rus. Lavrov thotë se Rusia nuk ka synime, nuk ka as interes për të kapërcyer kufirin me Ukrainën. Ai thotë se "Moska do që përpjekjet për të ndalur krizën të jenë shumëpalëshe dhe të ndalin trazirat që po përpiqet t'i mbulojë Perëndimi". Sipas analisteve, Kerry dhe Lavrov ulen sot në bisedime me pikëpamje krejt të ndryshme lidhur me situatën në Ukrainë.