Eksploziv eskavatorit të kryekomunarit, sulmi në Milot pas aksionit të INUK në Rrugën e Kombit
Kreut të komunës Milot i vihet tritol në mjetin në pronësi të tij tip “Ekskavator”. Mjeti i Behar Haxhiut ka shpërthyer mbrëmjen e të shtunës, pasi në të ishte vendosur një sasi lënde plasëse.Ngjarja ka ndodhur pas mesnatës, ndërsa nga shpërthimi ka patur vetëm dëme materiale. Lënda plasëse është vendosur në kabinën e ekskavatorit, i cili qëndronte i parkuar prej disa kohësh në afërsi të një karburanti që ishte në dalje te qytetit të Milotit.Nuk dihen ende autorët apo shkaqet e vendosjes së kësaj lënde plasëse, ndërsa vetë kreu i komunës së Milotit, Behar Haxhiu nuk ka dhënë asnjë shpjegim për ngjarjen, ndërsa ka bërë të ditur se nuk ka patur asnjë konflikt për të cilin autorët të jenë nxitur për të vendosur lëndën shpërthyese në mjetin e tij.Ekspertë të policisë kriminale janë tashmë në vendngjarje, ndërsa kanë nisur një hetim të hollësishëm për incidentin. Janë marrë në pyetje disa persona, përfshirë këtu edhe rojet e karburantit, por ende nuk ka asnjë të dyshuar për këtë ngjarje.Shpërthimi vjen vetëm një ditë pasi INUK ndërmori një aksion për prishjen e ndërtimeve pa leje përgjatë Autostradës së Kombit, e cila është edhe pista kryesore e hetimit për shpërthimin me tritol të mjetit në pronësi të kreut të komunës Milot.