Rama: “Marubi” një thesar i Europës, Kumbaro: Gjithëçka për ta përfshirë në listën e UNESCO
Fonoteka e “Marubëve” është thesari i gjithë Europës dhe për këtë duhet shpëtuar sa më parë.Kryeministri Edi Rama duke folur në konkursin për muzeun "Marubi" vlerësoi vlerat që ai mbart, ndërkohë që premtoi se çdo vit do të rrisë fondet për trashëgiminë kulturore.“Me pasion dhe me vullnet që na tregoi gjendjen e mjeruar që ishin lënë gjithë pjesët e çmuara të këtij thesari, veç vetëm nga përpjekjet individuale të disa personave. Ta kalojnë thesarin nga vendi krejt i papërshtatshëm në vendin që meriton. Në një hapësirë të projektuar nga një prej figurave më të shkëlqyera Kolë Idromeno. Përgëzoj Ministren e Kulturës, për mbërritjen kaq shpejt në këtë stacion. E kishim parashikuar brenda 300 ditëve të para të qeverisë. Donim të garantonim këtë cilësi, dhe ja arritëm. E dyta për inventarizimin e thesareve tona të lëna rrugëve. Për të cilat sot e gjithë ditën, nuk kemi inventar, nuk dimë ekzaktësisht se sa vlera materiale disponojmë në fushat e trashëgimisë kulturore”, u shpreh Rama.“Sot në kaq pak kohë, janë blerë të gjitha aparaturat, është përgatitur ekipi teknink për të filluar dixhitalizimin e veprës së Marubit. Deri në ditët tona ka ardhur i dëmtuar por që ka akoma për t’ju thënë brezave që do të vijnë. Me ministren ndajmë bindjen, se me 1 km asfalt më pak dhe një thesar të shpëtuar, se kaq kushton shpëtimi, bëjmë më tepër rrugë. Qeveria është shumë e vendosur që çdo vit të rrisim volumin e të mirave materiale që do të shpenzojmë për trashëgimin kulturore. Ne besojmë se duke bërë hapa si ky sot, bëjmë të mundur rritjen e dinjitetit kombëtar dhe forcimin e dinjitetit evropian. Marubët kanë drithëruar botën kur kanë dalë në sy të ekspertëve të huaj. Veprat që do të tregonin patriotizmin tonë mungojnë siç mungon një muze dinjitoz për Marubët. Këtë muze si akt të patriotizmit dhe si fillim i një rruge të re për Shkodrën. Janë thënë shumë fjalë por pak është bërë për të ruajtur vlerat e saj kulturore, që Shkodra i ka fatkeqësisht të dëmtuar, por që ende mund të shpëtohen.Ky projekt pavarësisht se është i vogël ka një fuqi për të rritur ekonominë e qytetit. Një nga instrumenta që vendi ynë ka për të rritur ekonominë është bukuria natyrore dhe të thesareve kulturore. Duke rikthyer vëmendjen tek këto thesare do të shohim se si këta e rrisin ekonominë e një vendi. Ky është vetëm fillimi”, theksoi kryeministri Rama.
Ministria e Kulturës Mirela Kumbaro deklaroi se në përfundim të këtij muzeu, thesarin e fototekës Marubi do synohet ta regjistrojnë në thesaret e trashëgimisë botërore të UNESCO-s.“Thesari “Marubi” është një thesar që duhet të vendoset në zemër të Shkodrës, sepse vetëm aty ai është i sigurt. Thesarin “Marubi” ne nuk duhet vetëm ta sigurojmë, por edhe ta gëzojmë.Sot do të prezantohen pesë projekte, për të mundësuar restaurimin e “Marubit”. Këto pesë projekte dolën nga gara e parë ku morën pjesë 26 propozime nga 8 vende të botës. Sot ne kemi idetë dhe teknologjitë më bashkëkohore për të vlerësuar “Marubin”. Kjo është rruga e progresit në kulturë, që na dëfton vlerat e Shkodrës dhe të pinjollëve të shquar shkodranë.Kjo rrugë progresi i jep dinjitet krenarisë sonë për thesaret e kulturës shqiptare. Ministria e Kulturës është e angazhuar për t'i mbrojtur dhe për t'i kthyer dinjitetin e merituar trashëgimisë kulturore. Në përfundim të këtij muzeu, thesarin e fototekës Marubi ne synojmë ta regjistrojmë në thesaret e trashëgimisë botërore të UNESCO-s”, cilësoi Ministrja e Kulturës Kumbaro.Për të mundësuar restaurimin e "Marubit" marrin pjesë pesë projekte. Këto projekte dolën nga gara e parë ku morën pjesë 26 propozime nga 8 vende të botës.