Meta pret Haradinaj, intensifikim të marrëdhënieve LSI-AAK
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta priti sot në selinë e LSI-së, kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ish Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj.Meta, pasi e uroi Haradinaj për një rikthim dinjitoz dhe të shumëpritur nga të gjithë shqiptarët, i shprehu atij mirënjohjen për mbrojtjen dhe sakrificat e bëra në vite për popullin e Kosovës. Gjtihashtu, Meta theksoi rëndësinë e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, duke vlerësuar përgjegjshmërinë e lartë të treguar nga Haradinaj dhe AAK në shërbim të mbarëvajtjes së bisedimeve, si një kontribut të çmuar në interes të konstruktivitetit dhe paqes në rajon.Haradinaj, pasi shprehu kënaqësinë për vizitën në Tiranë, vlerësoi rolin e z.Meta dhe të LSI-së si pjesë e koalicionit qeverisës në Shqipëri për një politikë të jashtme dhe rajonale tepër aktive në shërbim të njohjeve të mëtejshme të Kosovës dhe të stabilitetit në rajon. Në këtë kontekst, ai shprehu angazhimin e plotë të AAK në interes të forcimit të shtetit të Kosovës dhe të garantimit të të drejtave të të gjithë pakicave, siç është sanksionuar nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës.Meta dhe Haradinaj ranë dakord për intensifikimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit të ngushtë mes LSI dhe AAK dhe shprehën bindjen se mbarë hapësira shqiptare në rajon sot, është më e çliruar dhe më e fortë se kurrë.Në përfundim, Meta dhe Haradinaj dhanë një konferencë për shtyp:“Është kënaqësi e veçantë për të gjithë ne që të ndjejmë se politika mbarëshqiptare është shumë më e relaksuar pas 100-Vjetorit të Pavarësisë dhe krijimit të shtetit shqiptar pasi një ditë më pas z. Ramush Haradinaj triumfoi ndaj akuzave të padrejta në Gjykatën e Hagës duke kaluar një provë të vështirë dhe duke përjetuar sakrifica të mëdha, por duke sjellë një fitore të rëndësishme që konfirmoi drejtësinë e popullit shqiptar të Kosovës, por jo vetëm kaq edhe duke na dhënë një lajm shumë të gëzuar në ditën e parë të 100 viteve që vijnë” tha Meta për gazetarët.