Taksat e pashlyera nga nëpunësit, Bashkia e Lezhës u ndalon pagat dhe shërbimet

Refuzim shërbimi dhe bllokim i pagës për personat që punojnë në Administratën publike. Kjo masë do të aplikohet nga Bashkia e Lezhës për të mbledhur nga qytetarët taksat dhe tarifat vendore. Problemet e vazhdueshme të krijuara nga një nivel shumë i ulët pagesash të qytetareve lezhjanë ka bërë që kjo njësi vendore të shtojë masat e saj për penalitet ndaj debitorëve. Shefja e zyrës së Tatim Taksave në këtë njësi vendore, Liljana Dushku, ka bërë të ditur se nuk do të mundësohet asnjë shërbim për qytetarët pa paguar më parë detyrimet.Për vitin 2013, të ardhurat nga tarifat vendore për kategorinë familjare u realizuan vetëm në masën 3%, e për pasojë duke i reduktuar buxhetit të Bashkisë Lezhë afërsisht 20 milion lekë të reja. Këta tregues kanë bërë që masat e kësaj njësie vendore për debitorët të rriten ndjeshëm, ndërsa për punonjësit e administratës publike është kërkuar bashkpunimi i të gjitha drejtorive rajonale, pasi në rast të kundërt, veprimet ligjore për debitoret do të jenë detyrimisht të aplikueshme, madje duke përcaktuar edhe penalitete të tjera.