Kreu i Kuvendit Meta takim me Përfaqësuesin e OSBE, Gerard Stoudmann
Kryetari i Kuvendit Ilir Meta priti sot në Kuvend Përfaqësuesin e Posaçëm të OSBE për Ballkanin Perëndimor Ambasadorin Gerard Stoudmann i cili shoqërohej nga Ambasadori i OSBE në Tiranë Florian Raunig.Kryetari i Kuvendit Meta vlerësoi punën e OSBE në rajon dhe theksoi se Shqipëria i kushton vëmendje të veçantë forcimit të stabilitetit dhe zhvillimit ekonomik në Evropën Juglindore, duke kontribuar konkretisht në funksion të thellimit të bashkëpunimit mes vendeve fqinje dhe në kuadër të perspektivës evropiane.Në këtë kuadër Meta nënvizoi rëndësinë e përfshirjes më të madhe të Kosovës në forumet rajonale dhe ndërkombëtare, si një faktor me rëndësi strategjike për mbarëvajtjen e paqes dhe sigurisë për të gjithë rajonin. Meta vuri në dukje gjithashtu se Shqipëria e mbështet avancimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë dhe se Kuvendi i Shqipërisë është i gatshëm të kontribuojë për thellimin e bashkëpunimit mes të gjitha vendeve tona.Ambasadori Stoudmann vlerësoi rolin e rëndësishëm që Shqipëria luan në rajon dhe shprehu gatishmërinë e Presidencës zvicerane të OSBE-së për të kontribuuar në mënyrë konkrete në funksion të thellimit të bashkëpunimit rajonal dhe në mbështetje të procesit të integrimit evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Në këtë drejtim, Ambasadori vuri në dukje vizitën e pritshme të Kryetarit të Radhës së OSBE-së, Presidentit dhe Ministrit të Punëve të Jashtme të Zvicrës, Didier Burkhalter.Kryetari Meta dhe Ambasadori Stoudmann diskutuan gjithashtu edhe për zhvillimet e fundit në rajon, duke vënë në dukje rëndësinë e rritjes së mirëqenies dhe projekteve sociale dhe ekonomike për hapësirat ku banojnë shqiptarët.