Ministrja e Integrimit Evropian, Klajda Gjosha vizitë zyrtare në Kosovë

Ministrja e Integrimit Evropian, Klajda Gjosha, niset sot për një vizitë zyrtare në Kosovë. Gjatë kësaj vizite janë planifikuar një sërë takimesh me drejtuesit më të lartë të shtetit. Ministrja Gjosha, ka planifikuar të zhvillojë një takim me Presidenten e Republikës së Kosovës, znj. Ahtifete Jahjaga.Një tjetër takim do të jetë ai me Kryeministrin e Republikës së Kosovës z. Hashim Thaçi. Gjithashtu pjesë e axhendës është takimi me Ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj.Pas takimit me Ministren e Integrimit Evropian të Republikës së Kosovës, znj. Vlora Çitaku, do të zhvillohet ceremonia e nënshkrimit të Marrëveshjes “Për krijimin e Komisionit Teknik për përkthimin e legjislacionit të BE-së në Gjuhën Shqipe, si dhe bashkëpunimit në sferën përafrimit të legjislacionit”.Ministrja Gjosha do t’i dhurojë homologes Çitaku në emër të qeverisë shqiptare, të gjithë legjislacionin e BE të përkthyer ndër vite.