Zaganjori vizitë studimore në Luksemburg, takon Presidentin e Gjykatës Evropiane të Drejtësisë
Që prej 24 marsit, një delegacion i Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë, kryesuar nga Kryetari i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori, po viziton Luksemburgun në kuadër të një vizite studimore, e cila përfundon të mërkurën.Vizita ka për qëllim informimin e delegacionit mbi rregullat dhe procedurat e Gjykatës Evropiane të Drejtësisë dhe organizohet nga Gjykata Evropiane e Drejtësisë në bashkëpunim me Instrumentin për Asistencë Teknike dhe Shkëmbim Informacioni të Komisionit Evropian (TAIEX), me financim të Bashkimit Evropian.Në kuadër të kësaj vizite, Kryetari i Gjykatës së Lartë ka takuar Presidentin e Gjykatës Evropiane të Drejtësisë, Vassilios Skouris, ku sëbashku kanë diskutuar mbi detyrat dhe sfidat me të cilat përballet sot pushteti gjyqësor në Shqipëri dhe arritjet e deritanishme në përpjekje për të plotësuar kushtet e vendosura për t’u antarësuar në Bashkimit Evropian.Gjatë fjalës së tij, Zaganjori vuri në pah rëndësinë e shkëmbimit të përvojave të tilla të vlefshme mes institucioneve të gjyqësorit, duke theksuar veçanërisht se vizita dhe takime të tilla kontribuojnë për të shkëmbyer pikëpamje dhe përvoja për modelin e shtetit të së drejtës si dhe për rritjen e cilësisë së pushtetit gjyqësor në Shqipëri, integritetit dhe profesionalizmit të gjykatësve.Ai vlerësoi takimin me Skouris, duke e cilësuar atë të një rëndësie të veçantë në shërbim të transmetimit dhe përvetësimit të praktikave më të mira të funksionimit të Gjykatës Evropiane të Drejtësisë.Nga ana e tij, Presidenti i Gjykatës Evropiane të Drejtësisë,Vassilios Skouris, shprehu gaditshmërinë e tij për rritjen e bashkëpunimit dhe forcimin e marrëdhënieve me Gjykatën e Lartë të Shqipërisë në kuadër të rritjes së performancës së pushtetit gjyqësor në vendin tonë dhe marrjen sa më shpejt të statusit të vendit kandidat.Skouris u shpreh se mirëpret hapat institucional që po ndërmerr Shqipëria për t’u anëtarësuar sa më parë pranë BE-së duke mos kursyer mbështetjen e tij, veçanërisht përkundrejt Gjykatës së Lartë, si maja e piramidës së pushtetit gjyqësor. Ai tha se ndjek vazhdimisht, me vëmendje e interes të veçantë arritjet në procesin e reformimit të mëtejshëm të gjyqësorit shqiptar dhe rolin e Gjykatës së Lartë në këtë drejtim, duke u shprehur se dëshiron që Shqiperia të arrijë përmbushjen e standardeve evropiane në gjyqësor.Kryetari i Gjykatës së Lartë të Shqipërisë, në këtë vizitë shoqërohej dhe nga anëtarët e Gjykatës së Lartë Mirela Fana, Majlinda Andrea, Guxim Zenelaj, Edmond Islamaj, Admir Thanza dhe Artan Broci.