Meta bashkon politikën për 45-vjetorin, në Gjirin e Lalzit mbi 500 të ftuar nga qeveria-opozita

Kreu i Kuvendit festoi ditën e lindjes me shumë miq politikanë nga mazhoranca, por edhe opozita, bota e biznesit, njerëz të medias, artit e kulturës. Festa është organizuar në një ambjent krejt të veçantë në Gjirin e Lalzit dhe e gjithë rruga që të çonte drejt vendit ku do të zhvillohej ceremonia ishte e blinduar nga uniformat blu të policisë. Të ftuarit kanë mbërritur rreth orës 19:00, ndërsa gjithçka ka qenë gati për nisjen e festës rreth orës 20:30.Ceremonia mblodhi bashkë socialistë, drejtues të LSI dhe pak deputetë të së djathtës.Të pranishëm ishin kryeministri Edi Rama, pothuajse të gjithë anëtarët e kabinetit qeveritar, deputetë të majtë e të djathtë. Nga demokratët festës i ishin bashkuar edhe deputetët Eduard Selami, Genc Ruli, Mesila Doda, Majlinda Bregu e Gerd Bogdani.Kreu i Kuvendit, Ilir Meta, i shoqëruar nga bashkëshortja Monika dhe vajzat në një fjalë të shkurtër i është drejtuar të pranishmëve, duke i falenderuar që u bënë pjesë e ditëlindjes së tij."Nuk e festova dot 30 vjetorin sepse Majko na mblodhi me urgjensë ngaqë NATO do të bombardonte Serbinë për Kosovën", e ka nisur fjalën e tij kryeparlamentari.Më pas tavolinës kryesore i është bashkuar edhe zv.kryeministri i Kosovës, Bexhet Pacolli. Në festë, ra në sy mungesa e kreut të PD-së, Lulzim Basha dhe ish-kryeministri Sali Berisha. Mes të ftuarve ishte edhe deputeti republikan Agron Duka i shoqëuar nga vëllai i tij, kreu i FSHF-së Armando Duka.Atmosfera është mbajtur ngrohtë nga muzika e Sidrit Bejlerit, Juliana Pashës dhe Olta Bokës. Ndërkohë, LSI në faqen e saj në rrjetin social fb publikoi urimin për kryetarin e saj me nje foto ku Meta paraqitej i vogël dhe një tjetër në moshën 45-vjeçare.Pavarësisht interesit të lartë, asnjë kamera nuk është lejuar të fiksojë pamjet e brendshme të kësaj feste të madhe të ditëlindjes së 45-të të Ilir Metës.