Juventus në kërkim të një bomberi
Juventusi kërkon një bomber të pagabueshëm për sezonin e ardhshëm dhe njeriu që përmbush kërkesat është Mario Manxukiç. Lojtari kroat i Bajern Mynihut shikohet si një nga sulmuesit më të mirë në botë, ndërsa në këtë sezon me bavarezët ka realizuar 17 gola. Sipas të përditshmes sportive “Tuttosport’, drejtuesit e ‘Zonjës së Vjetër’ kanë takuar menaxherin e futbollistit dhe kanë arritur marrëveshjen për transferimin tij në verë. Kroati 27-vjeçar pritet që të firmosë një kontratë deri në 2017 me të drejtë rinovimi edhe për një tjetër vit, ndërsa do të përfitojë 3 mln euro në sezon, përveç bonuseve për suksese të mundshme të tij dhe të klubit. Manxukiç nuk është i kënaqur me mënyrën se si po shkojnë punët te Bajerni, sepse në sezonin ardhshëm pritet që të vijë një tjetër sulmues, Robet Levandovski. Në të tillë situatë, nëse ai vendos të rrijë do të ketë më pak hapësira për të luajtur ndërsa dëshira e kroatit është që të jetë një titullar i padiskutueshëm. Për këtë arsye, ai ka udhëzuar menaxherin që të shqyrtojë alternativat dhe kalimi te Juvja është një e ardhme që atë e josh. Tekniku i italianëve Antonio Konte e vlerëson së tepërmi 27-vjeçarin, pasi me ardhjen e tij Juvja do të ketë bomberin e duhur për në Ligën e Kampioneve.