Kodheli: Për Gervenin nuk shkela ligjin, Shefi i Shtabit Bazë: Urdhëri zbatohet, nuk diskutohet
Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli ka sqaruar kërkesën për largim të kundëradmiralit Kristaq Gërveni nga posti si atashe i Shqipërisë në NATO, duke deklaruar se nuk i ka marrë asnjë kompentencë Kreut të Shtetit, edhe pse ky vendim shënoi përplasje mes dy institucioneve.Në një deklaratë për mediat pas mbledhjes së komisionit parlamentar për politikën e Jashtme, Kodheli tha se shkarkimi i Gërvenit është bërë në zbatim të plotë të ligjit, pasi dekreti i Presidentit të mëparshëm Bamir Topi për të ka mbaruar në mars dhe Presidenti aktual Nishani, sipas saj është njohur me këtë fakt.
“Kam zbatuar vetëm proçedurat dhe ligjshmerinë. Është një proçedurë krej normale, në mbarim të dekretit të Presidentit të mëparshëm, që ka mbaruar në rastin e zotërisë në fillim të janarit por që mbaron dhe fizikisht në fund të marsit dhe vetëm kam nxjerrë një urdhër administrativ, në mënyrë që ti hapet vendi dikujt tjetër për të ardhur. Presidenti ndërkohë vlerëson situatën, është i njoftuar për mbarimin e dekretit të Presidentit të mëparshëm dhe mbarimin e kohës fizike të qëndrimit të përfaqësuesit tonë në NATO dhe besoj se do proçedohet rregullisht edhe në këtë rast” tha ajo.Ministrja Kodheli largoi nga detyra kundëradmiralin, pasi sipas saj Gerveni ka mbajtur gradën e gabuar në uniformë në një takim të 170 shefave të Mbrojtjes nga vendet anëtare të NATO-s.Vëtë Gërveni ka paralajmëruar dje se nuk do të zbatojë urdhrin e Kodhelit për tu larguar nga detyra. Kundëradmirali i ka dërguar një letër Presidentit, përmes të cilës i sjell në vemendje se sipas ligjit shkarkimi nga detyra i ushtarakut që mban gradën 'kundëradmiral' është atribut i Presidentit dhe jo i Ministrit të Mbrojtjes.Nisur nga këto paralajmërime të Gërvenit ka reaguar edhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Jeronim Baze, i cili i ka kërkuar Gervenit të respektojë urdhrin dhe të largohet nga detyra, ose do të përballet me ligjin, pasi mosbindja përbën kundravajtje penale."Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura (SHPFA) të Republikës së Shqipërisë ka reaguar në lidhje me komentet e bëra nga Kundëradmiral Kristaq Gerveni në ndonjë media të vendit, për moszbatimin e urdhrit administrativ të Ministrit të Mbrojtjes “Për dorëzimin e detyrës dhe kthim në atdhe”, ku shprehet se, zbatimi i urdhrit “nuk diskutohet, por zbatohet me shpejtësi dhe përpikmëri”, kjo sipas pikës 5.2.2, neni 2, kreu V, i Rregullores së Jetës së Brendshme të Forcave të Armatosura, miratuar me urdhrin e Ministrit të Mbrojtjes Nr.1821, datë 09.11.2011. Nga çdo ushtarak i Forcave të Armatosura, pavarësisht gradës që ai mban, natyrës dhe përmbajtjes së urdhrit (përveçse kur urdhri bie dukshëm ndesh me Kushtetutën e Republikës), pritet marrja, sqarimi, zbatimi dhe raportimi për zbatimin e tij, ndërkohë eprori i tij është përgjegjës për urdhrin e dhënë dhe pasojat që sjell zbatimi i këtij urdhri.Rikujtomë se rastet e mosbindjes ose moszbatimit të urdhrit nga ushtaraku, i cili është i detyruar t’i zbatojë e respektojë ato, përbën kundravajtje penale, ndërkohë që rasti në fjalë ul figurën e ushtarakut dhe përfaqësimin dinjitoz ndërkombëtar të ushtarakëve tanë në strukturat e Aleancës. Për ushtarakun në fjalë, eksizton edhe një praktikë tjetër disiplinore, ku Shtabi i Përgjithshëm, në zbatim të ligjeve dhe rregulloreve në fuqi, ka ndërmarrë propozimet dhe masat përkatëse.Urdhri administrativ për dorëzimin e detyrës dhe kthimin në Atdhe nuk cenon kompetencat e presidentit të Republikës por thjesht rregullon marrëdhëniet mes punëdhënësit dhe punëmarrësit pasi Gervenit i ka mbaruar afati 3 vjeçar i qëndrimit në këtë detyrë”.Emri i Kristaq Gërvenit u bë i njohur për opinionin publik, pasi ai ishte kryetar i grupit të punës që negocioi paktin detar me Greqinë, marrëveshje që u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese.