Qeveria hap zyrën e punës dhe në Elbasan, Rama: Ky qark, i treti për nivelin e lartë të papunësisë

Elbasani është një qark me një nivel papunësie shumë të lartë, një papunësi që rëndohet edhe nga kthimi në vijimësi i emigrantëve dhe që e rendit atë të tretin përsa i përket numrit të papunëve, por edhe përsa i përket ndihmës ekonomike", kështu u shpreh Kryeministri Edi Rama ku i shoqëruar nga Ministri Erion Veliaj, si edhe kreu i Bashkisë, Qazim Sejdini, ka marrë pjesë në çeljen e Zyrës së Punës në qytetin e Elbasanit.

 

Sipas tij " gjatë vitit 2013 arritën të punësohen nëpërmjet zyrave të punës 600 persona, ndërkohë që vetëm në një muaj në Tiranë, Durrës dhe Vlorë u punësua dyfishi i atyre që deri dje u punësuan në një vit.

“Shteti duhet të jetë një nxitës i madh i punësimit përmes nxitjes së sipërmarrjes, rritjes së sektorit privat, përmes transformimit të biznesit në një partner të pandashëm strategjik dhe përmes krijimit të kushteve që mes sipërmarrjes dhe punë kërkuesve të vendoset komunikimi”, tha ndër të tjera Rama.