5 vendet e BE drejt njohjes së Kosovës? Zv.ministri i Jashtëm Selimi: Kemi sinjale pozitive
Duket se pesë shtetet e Bashkimit Europian që nuk e kanë njohur ende Kosovën po lëvizin nga pozicioni i tyre.Kosova është tashmë realiteti i ri i hartës politike në Ballkan që nuk mund të injorohet dhe nga këto 5 vende Rumania, Spanja, Greqia, Qiproja dhe Sllovakia. Sinjale për një ndryshim qëndrimi kanë ardhur ditët e fundit edhe nga Kosova, por edhe nga Shqipëria.Vetëm pak ditë më parë në Tiranë, kryeministri rumun Viktor Ponta do të deklaronte në konferencën për mediat me homologun e tij shqiptar Edi Rama se "një Kosovë dhe një Serbi anëtare e Bashkimit Europian do të jetë zgjidhja më e mirë. Në fakt kjo është edhe e ardhmja për të gjithë rajonin".Deklarata për të tjera sinjale të ngjashme vjen nga Prishtina, ku Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Petrit Selimi, ka thënë se brenda një viti disa nga pesë shtetet e BE-së, të cilat nuk e kanë njohur Kosovën, pritet të lëvizin drejt njohjes.Selimi ka deklaruar se kohët e fundit Republika e Kosovës ka përparuar marrëdhëniet me këto vende në çdo fushë të bashkëpunimit."Nuk ka arsye të dyshohet se brenda një viti, Kosova do të jetë e njohur nga disa prej këtyre shteteve në BE", ka thënë Selimi."MPJ dhe partnerët tanë, kemi organizuar vizitën e Odës Ekonomike në Greqi, vizitën e deputetëve të Kosovës në Rumani si dhe vizita të shoqërisë civile në Qipro. Në Sllovaki kemi dërguar disa delegacione deri tani dhe të gjitha këto përpjekje diplomatike në muajt në vijim pritet të sjellin rezultate konkrete " ka thënë Selimi.Selimi ka folur për ndryshime rrënjesore në proçesin e integrimit të Kosovës në BE, përfshirë dhe arritjen e konsensusit evropian për njohje, por në fjalën e tij nuk ka përmendur Greqinë, vend që mban presidencën e rradhës së BE, pjesë e 5 vendeve që nuk njeh Kosovën.