ISUV qetëson shqiptarët: Kastravecat nuk kanë hormone, konsumojini
Qytetarët mund të konsumojnë të sigurt kastravecin, i cili dyshohej se kishte nivel të lartë të hormoneve apo mbetjeve pesticide.Instituti i Sigurisë Ushqimore e Veterinare ka publikuar rezultatet e analizave të bëra në Lushnje, duke i siguruar konsumatorët se çdo gjë është pa rrezik për shëndetin.Nëndrejtori i ISUV, Ardian Xinxo, ndër të tjera bëri të ditur se nga analizat e bëra për perime të stinës edhe në disa qarqe të tjera të vendit ka rezultuar se mbetjet e konstatuara janë të gjitha nën normën e lejuar nga BE.“Një analizë qe u krye në kuadër të ngritjes së një sistemi rajonal të vlerësimit të pesticideve në produktet bimore, rezulton negative, është një metodë screenig me rezultat të besueshëm.Prova në fjalë doli pasi u bë një prerje cezariane e kavies, në të cilën u injektua ekstrakti i kastravecit, dhe rezultoi se të gjitha organet e kavies ishin krejt normale, e cila u filmua dhe nga kamerat e pranishme. Në një prove të thjeshtë nëse ka pesticide, metale të rënda apo fitohormone, organet fryhen dhe ndryshojnë ngjyrë “tha ai.Analizat sipas Xinxos vazhdojnë dhe për mostra të tjera të perimeve të sjella nga e gjithë Shqipëria pasi është një proçes i pandërprerë gjatë gjithë vitit. Xinxo edhe njëherë siguroi konsumatorin se ky ISUV bën gjithë analizat e nevojshme për praninë e mbetjeve tek produktet shqiptare me origjinë bimore e shtazore.“Të gjitha këto mostra analizohen njëkohësisht për 452 pesticide të ndryshme. Norma e lejuar nga BE është nga 0.01-1 mlg mbetje per kg. Aktualisht grafiku tregon se të gjitha analizat për 452 pesticide janë nën këtë normë të lejuar, pra plotësisht të sigurta për konsumatorin shqiptar. Rezultatet finale të mostrave që tashmë janë futur në proces analizimi dalin gjatë javës që vjen” tha Xinxo.