Dita e Sulltan Novruzit qetëson liderët, shmangen deklaratat politike
Besimtarët bektashianë kremtojnë sot, ditëlindjen e Imam Aliut, të njohur si Dita e Nevruzit. Dita e Sulltan Nevruzit njihet si dita e fisnikërisë bektashiane dhe dita e ringjalljes së madhe. Kjo ditë nis me urimet më të mira për mbarësi, mirëqënie, paqe.Me rastin e kësaj feste në mjediset e Selisë së Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane u zhvillua ceremonia tradicionale fetare ku Kreu i Komunitetit të Bektashinjve, Baba Edmond Brahimaj uroi të gjithë besimtarët për më shumë dashuri dhe paqe me njëri-tjetrin.
“Sot në këtë ditë të bukur të pranverës, 22 marsit, festës së Sulltan Nevruzit dhe lindjes së madhit Ali, ju uroj paçi bekim kurdoherë në veprat tuaja të mira, Zoti qoftë ndihmës drite dhe shkëlqim në udhën tuaj. Duke ju falur kësaj drite gjejmë udhën tek i Madhi Zot për të na lehtësuar si gjithmonë me praninë e tij qëllimin tonë për tu afruar drejt tij. Duke pranuar lutjet tona ai na frymëzon për të zbuluar në zemrën tonë atë që është më e mira, të cilën ai vetë me dashuri hyjnore ka vendosur në të. Ne të gjithë sëbashku apelojmë për mbarë njerëzimin që në udhën e virtytshme të gjejmë dashurinë, gëzimin, lirinë, shpresën, mbi të gjitha paqe me veten tonë".Ceremonia u hap nën tingujt e himnit kombëtar të flamurit, ndërsa nuk munguan edhe mesazhet Baba Edmond Brahimaj për më shumë përkushtim moral dhe atdhetar.
“Rruga e Zotit është e vlefshme për të gjithë, në këtë rrugë merr kuptim jeta. I lutem Zotit të lartësuar të na mbushë me dashuri, të na mundësojë me përkushtim moral dhe atdhetar, duke përbuzur egoizmin, vesin e ulët dhe ligësinë. Të falim dashuri tek njeriu për njerinë, shpirtin human dhe lumturinë familjare. O Zoti Ynë bëj që me madhërinë tënde i gjithë njerëzimi nga Lindja në Perëndim të shtrohet me flamurin e paqes, të lirisë, bashkimit dhe vëllazërisë për të gjithë. Ne jemi bijtë e tu e prapë tek ty do të kthehemi, qofshim në dashurinë dhe në kujdes të Zotit. Zoti na bekoftë të gjithë, amin!”Selia e Kryegjyshatës është vizituar sot edhe nga kryebashkiaku, Lulzim Basha, i cili duke e cilësuar këtë festë si triumfin e dritës mbi errësirën, uroi të gjithë shqiptarët nga të gjitha besimet për një të ardhme më të mirë.
“Gjithë besimtarëve bektashinjë dua tu uroj Sulltan Nevruzin. Por dua tu uroj të gjithë shqiptarëve të çdo besimi këtë ditë të veçantë që shënon fitoren e dritës mbi errësirën, në këtë mënyrë simbolizon shpresën dhe besimin tek e ardhmja. Simbolizon faktin se në natyrën e gjërave, në natyrën e punëve të Zotit dhe në vetë natyrën njerëzore e mira triumfon mbi të keqen.Është një ditë e shpresës e besimit, është ditë për të gëzuar të gjithë qytetarët pavarësisht besimit fetar” tha ai.Ndërkaq Ministri i Çështjeve Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, uroi që ditë të tilla ti shërbejnë klasës politike për reflektim dhe ulje tensionesh.
“Dua tu uroj të gjithëve gëzuar Festën e Nevruzit. Është dita e parë e pranverës, kështu që do doja që secili të kishte pranverë në familjen e vet, në shpirtin e vet. Dua të uroj kryesisht gjithë besimtarët bektashinjë, bashkëpatriotët e Naim Frashërit, që më frymën e Naimit, me frymën pozitive të të bërit gjërave mbarë e mirë, të bëjmë gjëra mbarë e mirë për Shqipërinë. Unë e di që shpesh herë kalojmë edhe tensione në politikë, siç ishte ai i javës kaluar në parlament, por uroj që në ditë të tilla të reflektojmë dhe të kuptojmë se ka më shumë gjëra që na bashkojnë sesa që na ndajnë. Gëzuar të gjithë besimtarëve. Ka disa cinikë që mendojnë se harmonia fetare është diçka që na ka rënë llotari, por nuk është kështu, është diçka që ne investohemi çdo ditë, ndaj më vjen mirë që edhe kretëte komuniteteve të tjera fetare ishin këtu për të uruar” u shpreh Ministri.Më shumë bashkëpunim dhe shpresë ka uruar edhe kreu i Kuvendit, Ilir Meta.
“Dua tu uroj të gjithë besimtarët bektashinj, por dhe të gjithë qytetarët shqiptarë për një të ardhme më të mirë, më shumë shpresë dhe bashkëpunim. Jam i bindur se kjo është një ditë që na fton të gjithëve për të qenë më të mbarë dhe më besimplotë drejt të ardhmes”.Në selinë e shenjtë të bektashinjëve urime përcollën dhe ambasadorë të akredituar në Shqipëri. Në cilësinë e Konsullit të Nderit te Shteteve të Bashkuara të Meksikës, por edhe si kreu i Shoqatës së Konsujve në Shqipëri, Ylli Ndroqi përcolli urimet në këtë ditë të shënuar për bektashninjtë.
Urimeve për festën u është bashkuar edhe ish-kryeministri, Sali Berisha, përmes rrjetit social fb.
“Gezuar Sulltan Novruzin, diten e madhe te besimit, dashurise, mirekuptimit, diten qe, siç thote Naimi, perseritet moti, lind vera, lind ngrohtesia, lind Aliu, lind vet Zoti. Ndaj dhe te dashur miq le t'iu urojme ne se bashku bektashinjeve shqiptare por dhe te gjithe besimtareve te Zotit, Gezuar kete dite te bekuar!”Festa e Nevruzit shënon fillimin e vitit të ri, sipas sektit bektashi, dhe përkon me ditëlindjen e Imam Aliut në Qabe. Kjo ditë cilësohet në mbarë botën Aleviane si dita e fisnikërisë bektashiane dhe dita e ringjalljes së madhe. Në këtë ditë çdo gjë mund të ringjallet, edhe pemët, edhe lulet, në këtë ditë lind shpresa, ringjallja për njerëzimin që shpreson për një të ardhme më të mirë.Në Shqipëri Dita e Nevruzit, festa më e rëndësishme e Bektashizmit, është dekretuar si festë kombëtare 16 vite më parë. Sekti i bektashinjëve është i vendosur kryesisht në jug të vendit, ndërkohë që ai ka një shtrirje të konsiderueshme në territorin e Republikës së Shqipërisë.