Gjendet avioni i zhdukur? Australia zbulon imazhet e disa objekteve në oqean

Duket se po zbulohet misteri i avionit të Malajzia Airlines, pasi autoritetet australiane kanë deklaruar se përmes imazheve satelitore kanë pikasur në Oqeanin Indian dy objekte që dyshohet se i përkasin këtij avioni.Në operacionin për nxjerrjen e këtyre objekteve nga thellësia e detit janë angazhuar avionë dhe anije nga Australia , Zelanda e Re dhe SHBA.Kryeministri i Australisë, Tony Abbott, njoftoi zbulimin e objekteve në parlament, ndërsa theksoi se misioni për ti nxjerrë ato është jashtëzakonisht i vështirë.Autoritetet ushtarake dhe detare në Australi bënë të ditur se këto objekte që janë fiksuar në imazhet satelitore ndodhen në ujërat e Oqeanit Indian rreth 2.500 km në jug-perëndim të qytetit australian Perth."Ndoshta ky zbulim do të çojë në zbardhjen e misterit të zhdukjes së avionit, por është e domosdoshme të mbërrijmë në thellësi të detit, ti tërheqim objektet e zbuluara për të qënë të sigurt se ato janë mbetjet e avionit"- thanë autoritetet australiane.Australia informoi autoritetet malajziane për këtë zhvillim. Ministri i Transportit në Malajzi tha se shpreson që tashmë të zbardhet ngjarja e mistershme, pas zbulimit që vjen nga Australia.Avioni i Malaysia Airlines po fluturonte nga Kuala Lumpur në Pekin më 8 mars, kur ai humbi kontaktet me kontrollorët e trafikut ajror, ndërsa në bordin e tij ndodheshin 239 persona.Njëzet e gjashtë shtete janë përfshirë në një operacion të gjërë kërkimi për avionin e zhdukur. Hetuesit kanë kryer verifikime mbi të kaluarën e ekuipazhit dhe pasagjerëve të avionit, duke hedhur dyshime se ngjarja mund të lidhej me ndonjë akt terrorist, por deri tani kjo pistë nuk është konfirmuar.