Reforma Administrativo-Territoriale, konsultime publike në Përmet dhe Korçë
Konsultimet publike për Reformën Administrativo-Territoriale u zhvilluan sot në Përmet ku Ministri i Shtetit për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi paraqiti të dhënat e njësive të qeverisjes vendore të këtij rrethi dhe përfitimet që burojnë nga konsolidimi i këtyre njësive.Gjithashtu gjatë takimit u prezantuan dhe u diskutuan kriteret teknike që do të përdoren për ndarjen adminsitrativo-territoriale.Gjatë fjalës së tij, Ministri Çuçi theksoi: “Një llogaritje e përafërt tregon se, pas konsolidimit të njësive të qeverisjes vendore mbi bazën e reformës administrativo-territoriale , rrethi i Permetit mund të sigurojë çdo vit afërsisht rreth 1 milionë USD fonde neto për investime nga mirëmenaxhimi i burimeve dhe aseteve vendore. Në 1 mandat 4-vjeçar mund të kemi të shtruara me asfalt rreth 20km rrugë rurale, apo të ndërtojmë një shkollë apo 2-3 qendra të reja shëndetësore.”Kryetari i Bashkise së Përmetit, Gilberto Jace tha se “Bashkia nuk arrin të bëjë më asnjë investim dhe të sigurojë shërbimet bazë për qytetarët. Kjo refomë jep mundësinë që ndoshta pa parashtesë nga buxheti i shtetit ne të dalim krejtësisht nga kjo agoni.”Rrethi i Përmetit ka 9 njësi vendore, 2 bashki dhe 7 komuna. Sipas te dhënave të Censusit 2011 në rrethin e Përmetit ka rreth 17,000 banorë. Lëvizja demografike në mënyrë të veçantë ka prekur rrethin e Përmetit ku ka komuna me 1000 banorë si Çarçova, Ballabani, Dëshnica, Suka apo dhe Frashëri që numëron vetëm 387 banorë.Rreth 80 deri ne 85% e buxhetit të komunave në rrethin e Permetit vjen prej granteve nga buxheti i shtetit, ndërsa të ardhurat nga taksat dhe tarifat vendore përbëjnë gati 15% deri ne 20% të këtij buxheti.Pjesë e turit të konsultimeve publike ishte dje edhe Korça ku morrën pjesë rreth 200 aktorë vendorë dhe grupe interesi. Qarku i Korçës ka 8% të popullsisë së vendit me një mestare prej rreth 5,900 banorë për njësi të qeverisjes vendore. Thuajse treçereku i buxhetit të njësive të qeverisjes vendore në qarkun e Korçës vjen prej granteve nga buxheti i shtetit, ndërsa të ardhurat nga taksat dhe tarifat vendore përbëjnë vetëm 1/4 e këtij buxheti. “Disa prej këtyre njësive vendore shpenzojnë me shumë se 90% të buxhetit për paga dhe shpenzime personeli. Ndërkohë, zhvillimi ekonomik dhe shoqëror i qarkut është përqendruar ne qendrat e mëdha urbane si Korça, Pogradeci apo Bilishti”, theksoi Ministri Bledi Çuçi gjatë takimit.Kryetari i Bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo, prezantoi disa shembuj konkret se si reforma territoriale do të kontribuojë në zhvillimin ekonomik dhe në rritjen e cilësisë së shërbimeve për qytetarët.“Ne si Bashki e Korçës hartuam një plan për zhvillimin e turizmit por kur donim të hartonim planin e veprimit nuk mund të përfshinim vetëm Bashkinë e Korçës por lindi nevoja të përfshinim Dardhën, Voskopojën dhe komunat përreth. Këto janë praktika reale të bashkisë tonë që tregojnë se reforma është shumë e rëndësishme dhe nuk është veç një teori”, u shpreh Filo.Të gjitha opinionet dhe sugjerimet që do të vijnë gjatë konsultimeve publike me komunitetet, grupet e interesit, organizatat dhe institucionet politike dhe të pavarura do të dokumentohen e analizohen dhe do të merren në konsideratë në përgatitjen e kuadrit ligjor për Reformën Administrativo-Territoriale dhe të projekt-hartës së ndarjes së re.