Dita ndërkombëtare kundër genocidit, PDIU proteston te ambasada greke
Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Klubi i patriotëve të Rinj dhe shoqata "Çamëria" kanë protestuar sot te hyrja e pasme e Ambasadës Greke në Tiranë, në kuadër të 9 dhjetorit, Dita Ndërkombëtare kundër Genocidit.Protestuesit kanë mbajtur pankarta në duar me shkrimet "Duam pronat tona" ndërsa kanë kërkuar zgjidhjen e çështjes çame.Në fjalën e tij ish kryetar i shoqatës “Çamëria” Servet Mehmeti ka kërkuar nga Greqia të pranojë se ka kryer genocid ndaj popullatës came.“Mes nesh ka viktima të genocidit grek mbi Çamërinë. Grekët thonë se nuk u bë genocid mbi ne, por se ne ikëm vetë. Konventa ndërkombëtare për genocidin e miratuar në 9 dhjetor 1948 ka dhënë disa përkufizime se ç’është genocid. Unë sot dua t’ju pyes juve, sipas këtyre përkufizimeve. A nuk pati mbi ne çamët, vrasje masive të anëtarëve të komunitetit tonë ? A nuk pati mbi ne imponim kushtesh jete, që kishin për qëllim asgjësimin tonë ? A nuk kishte mbi ne, shpërngulje të sforcuar të fëmijëve, grave dhe të moshuarve ? A nuk pati planifikim të gjithë krimeve, aksioneve kriminale mbi ne, duke filluar nga ato para Luftës së parë botërore, pas saj, në vitet 20, në fund të Luftës së dytë botërore ? A nuk ishte brenda këtij planifikimi qëllimi që të na shkulnin përjetësisht nga rrënjët, nga trojet tona etnike ? Por siç e tregon pjesëmarja juaj, pjesëmarrja e të rinjve dhe të vjetërve, askush nuk i shkul çamët nga rrënjët. Sic e tregon këtu prania e përfaqësuesve të PDIU-së, kryetarit të saj zotit Shpëtim Idrizi dhe deputetit z. Dashamir Tahiri, çështja çame nuk do të vdesë asnjëherë” tha Mehmeti.Ndërsa deputeti i PDIU-së, Dashamir Tahiri kërkoi nga Greqia të lejojë qindra mijëra pjestarët e komunitetit çam që të mund të shohin shtëpitë e tyre.“Ne nuk kërkojmë shtëpi në Athinë, ne kërkojmë shtëpitë e baballarëve tanë në Prevezë, aty ku i kanë pasur. Kjo është një çështje e drejtë. Askush nuk mund ta quajë ndryshe. Hebrenjtë u kthyen në trojet e tyre amtare pas dymijë vjetësh dhe ne do të kthehemi shumë shpejt. Qeveria e atëhershme kuinslinge greke i dëboi dhe i vrau shqiptarët e Çamërisë, duke shfarosur 20 për qind të popullsisë. Por edhe qeveria e sotshme greke nuk po kërkon ndjesë, ndonëse e cilëson veten si demokratike” tha Tahiri.