“Dita kombëtare e Rinisë”, Berisha: Do thyejmë murin e neobllokmenëve

22 vjet pasi lëvizja studentore rrëzoi regjimin komunist, Kryeministri u ka kërkuar sërish rinisë shqiptare që me 23 qershor të vitit të ardhshëm të votëbesojnë Shqipërinë si vendi i zhvilluar. Duke folur para qindra të rinjëve në Ditën Kombëtare të Rinisë, kryeministri Sali Berisha tha se të rinjtë janë arkitektët e ndryshimit të së ardhmes së vendit. Kryeministri Berisha ka lëshuar akuza të ashpra ndaj opozitës, ku sipas tij neobllokmenët e rinj po bllokojnë ëndrrën europiane të shqiptarëve dhe të rinjve.“Sot pas 22 vitesh bijtë e etërve që izoluan Shqipërinë përdorin votën në parlament për të bllokuar ëndrrën tuaj europiane, projektin tuaj europian. Neobllokmenët e rinj duan të hakmerren për baterlonë që ju ofruan të rinjtë etërve të tyre në dhjetorin ‘90. Ju po prisni që me 23 qershor me votën tuaj do thyeni murin e tyre, ne do fitojmë. Ju keni nivelet më të larta të shkollimit, 72% e maturantëve tanë ndjekin shkollat e mesme dhe ato të larta.Ne duam votën tuaj për të kapur sëbashku në mandatin e ardhshëm nivelet më të larta të shkollimit, për tju bërë ju arkitektë të ndryshimit të së ardhmes. Ju keni ritmet më larta në botë të rritjes së Shqipërisë digitale.Ne duam votën tuaj për të ngjitur sëbashku Shqipërinë në majat më të larta të shoqërisë digitale” tha ai.Duke folur për Shqipërinë dixhitale, Kryeministri u tha të rinjëve se që nga kjo e shtunë do të bëhet pjesë e komunikimit elktoronik përmes rrjetit social facebook.Ndërkaq shefi i selisë blu ka sjellë në vëmendje sërish projektin "Të bashkohemi me Europën, të bashkohemi me njëri-tjetrin", duke shprehur besimin se do të jenë pikërisht të rinjtë që do të zbehin rolin e kufinjve, për tu ndjerë një kudo që ndodhen.