Franca shkatërron Hollandën, Zvicra ndalet në barazim
Edhe pse bëhet fjalë për një ndeshje miqësore, Franca arriti një fitore të madhe duke mposhtur Holandën me rezultat 2:0. Gjelat morën një fitore që pa dyshim do t'u ngrejë vetëbesimin para fillimit të Kampionatit Botëror, pasi triumfuan ndaj një kundërshtari që konsiderohet si një prej favoritëve për garën e këtij viti në Brazil.Skuadra e Deschamps fitoi duke dominuar jo vetëm në rezultat por dhe në lojë. Van Gaal, që kishte deklaruar se tulipanët nuk janë ende për titull botëror, eksperimentoi në një ndeshje të rëndësishme, duke lënë jashtë dhe Robben. Në krahun tjetër mungonte Ribery, por francezët duket se nuk e ndjenë shumë mungesën e yllit të tyre, që hyri në fushë si zëvendësues.Të dy golat për skuadrën e trajnerit Didier Deschamps, u shënuan në pjesën e parë. Sulmuesi Karim Benzema e përcolli formën e tij të mirë nga Real Madrid tek Kombëtarja e Francës duke kaluar Trekolorët në avantazh në minutën e 32-të.Ndërsa, avantazhin e francezëve e dyfishoi Blaise Matuidi, katër minuta para përfundimit të pjesës së parë. Holanda nuk arriti të kundërpërgjigjet kurse Franca e mbrojti me sukses avantazhin e krijuar duke realizuar fitore të rëndësishme. Në pjesën e dytë ishte sërish Franca që dominoi duke ruajtur avantazhin e fraksionit të parë duke arritur një hakmarrje të vogël për dy humbjet e fundit që Holanda i kishte shkaktuar.Zvicra barazoi 2:2 në ndeshjen miqësore kundër Kroacisë. Me Xherdan Shaqirin, Valon Behramin dhe Granit Xhakën në formacionin bazë, skuadra helvetike luajti mjaft mirë. Por, pas daljes së Shaqirit dhe Behramit në përfundim të pjesës së parë, loja e Zvicrës ndryshoi pak dhe kroatët arritën të barazojnë rezultatin. Josip Dërmic shënoi dy herë për Zvicrën brenda pjesës së parë ndërsa barazimin e përkohshëm Kroacisë u arrit me Ivica Olic. Sulmuesi me përvojë shënoi edhe një herë tjetër në minutën e 55'të duke e nxjerr skuadrën e tij të pamposhtur nga ky duel.