Shqipëria e nis me fitore

Kombëtarja shqiptare e ka nisur në mënyrën më të mirë vitin 2014, teksa djemtë e drejtuar nga Gianni de Biasi morën një fitore të pastër 2-0 kundër Maltës në “Niko Dovana”, edhe pse rezultati mund të kishte qenë shumë më i thellë.Shqipëria e nisi keq ndeshjen, teksa gabimi i Ergys Kaçes në minutat e para, që mund të kishte qenë fatal, por i pashfrytëzuar mirë nga maltezët. Kombëtarja do të hynte në lojë në minutën e 7-të, kur pas një aksioni të gjatë, Hyka do të godiste drejt portës, por i ndalur nga portieri Haber. Dominimi do të vazhdonte, sidomos me treshen e mesfushës Rama, Hyka e Meha, që janë të pandalshëm për mbrojtësit maltezë. Në minutën e 26-të Basha, pas një goditjeje këndi të Mehës do të dërgonte me kokë topin në rrjetë, dhe do të sillte në këtë mënyrë avantazhin për Shqipërinë.Ky gol do të motivonte lojtarët, që në minutën e 28 në fillim me Ramën e pastaj me Mehën do ti afrohej shumë golit të dytë. Kapllani me kokë do të provonte sërish por nuk mundi që të shënoj në qytetin e tij të lindjes. Kështu do të mbyllej pjesa e parë, dhe e dyta do të niste në të njëjtën mënyrë. Do të duhej të vinte minuta e 53-të, kur snajperi Alban Meha me një goditje të mrekullueshme nga rreth 40 metra do të shënonte një nga golat më të bukur të historisë së kombëtares shqiptare. Ritmi pas golit do të binte pak, dhe edhe pse Hyka, që dukej në formë shumë të mirë dhe Rama do të provonin disa herë, dhe Basha e Sadiku do të godisnin shtyllën.Mbyllet pozitivisht prova e parë e kombëtares sonë që ka ende shumë punë për të bërë deri në kualifikueset e Europianit.