Napoletano: Vendi i Shqipërisë në Europë, Italia mbështet dhënien e statusit
Kuvendi i Shqipërisë, në një seancë të jashtëzakonshme nderoi pasditen e sotme presidentin italian, Giorgio Napolitano, i cili gjendet në vendin tonë për një vizitë shtetërore.
Nga foltorja e parlamentit, Napoletano iu drejtua me një fjalim ligjvënësve shqiptarë duke dhënë mbështetjen e plotë të shtetit që ai kryeson në rrugën europiane të Shqipërisë. Duke vlerësuar përpjekjet dhe progresin e bërë deri më tani, ai inkurajoi klasën politike të përmbushë të gjitha reformat integruese.
“Gjatë historisë së saj më të fundit dhe veçanërisht pas ‘92 Shqipëria filloi të krijojë institucionet demokratike, kemi qenë të pranishëm dhe kemi ndihmuar fort në përmirësimin e kushteve të jetesës së popullsisë shqiptare. Përparimet e jashtëzakonshme të Shqipërisë janë njohur edhe nga BE. Ju përcjell besimin tek ju dhe institucionet tuaja, e inkurajoj popullin mik shqiptar të ndjekë me këmbëngulje objektivin e integrimit. Bëni përpjeke për të fuqizuar luftën ndaj kriminalitetit, reformën në sistemin gjyqësor, dhe luftën ndaj korrupsionit, respektim të plotë i të drejtave të njeriut. Udha evropiane është shndërruar në një objektiv të të gjitha forcave politike. Besoj se është detyrë e institucioneve evropiane të realizojnë këtë objektiv. Procesi i mëtejshëm i zgjerimit një synim ambicioz, aspirata e Shqipërisë dhe vendeve të tjera përfaqëson një sinjal të fortë besimi në kohë të vështirë. Italia, ashtu si në të shkuarën do bëjë të mos mungojë kurrë besimi dhe mbështetja. Shpresojmë që Italia ta celë presidencën me Shqipërinë e aderuar me të drejta të plota.Duhet të jetë e qartë për të gjithë që vendi i Shqipërisë është në Bashkimin. Nëse Europa ka përfaqësuar shumë për Shqipërinë, Shqipëria nga ana e saj ka treguar haptazi se ka bërë dhe mund të bëjë shumë për Europën”- u shpreh presidenti Napolitano.
Duke u ndalur në disa aspekte të bashkëpunimit mes dy vendeve tona, Presidenti italian vlerësoi projektin e gazsjellësit TAP, duke theksuar se Italia e Shqipëria po bashkëpunojnë në fushën e energjetikës dhe për ndërtimin e një rajoni të përbashkët në këtë drejtim.“Në rritjen e sistemit shoqëror e prodhues shqiptar merr sot pjesë edhe një element i rëndësishëm sipërmarrës italian, që operon në realitetin shqiptar në mënyrë të përhershme dhe me gjithnjë e më shumë kënaqësi. Një shembull pozitiv në këtë kuptim gjendet tek sfida e përbashkët, kurorëzuar së fundi me sukses, për fitimin e tenderit për transportin e gazit nga Azerbajxhani në Evropë nga ana e konsorciumit TAP – Trans Adriatic Pipeline. Jam i sigurt që, edhe përmes lidhjes me gazsjellësin IAP – Ionic Adriatic Pipeline, bashkëpunimi në fushën e energjetikës mes Shqipërisë, Greqisë dhe Italisë do të ndihmojë ndjeshëm në një integrim më të madh ekonomik e prodhues të Vendeve tona. Roma dhe Tirana luajnë përgjithësisht një rol përcaktues brenda Nismës Adriatiko-Joniane që – edhe falë Presidencës aktuale shqiptare – ka përfaqësuar një lidhje të fortë mes dy qeverive për “Strategjinë e BE-së për krijimin e Makro-rajonit Adriatiko-Jonian”. Kam besim se mirëkuptimi mes dy qeverive përkatëse do të japë një shtysë thelbësore në hartimin e kësaj Strategjie e cila është në prag të miratimit përfundimtar brenda fundit të këtij viti, periudhë e cila përkon me Kryesinë italiane në Bashkimin Evropian” u shpreh Presidenti italian.Napoletano ndër të tjera vlerësoi marrëdhëniet e ngushta mes dy vendeve, duke shprehur bindjen se këto marrëdhënie do të vijojnë të jenë të mira e do të intensifikohen edhe më tej në të ardhmen.“Marrëdhëniet tona pasurohen ditë pas dite me stimuj e me mundësi të reja. Në takimet e vazhdueshme në nivel Qeverie janë kryer përparime domethënëse rreth çështjeve kryesore të bashkëpunimit dypalësh. Ndër to, në mënyrë të veçantë spikasin niveli i lartë i integrimit i arritur nga sistemet tona ekonomike si dhe niveli i lartë i shkëmbimeve tregtare, fryt i nismave të shumta sipërmarrëse, çka ka bërë të mundur përballjen me sukses të krizës së vështirë që po përjetojmë si dhe ndihmon në forcimin e mëtejshëm të lidhjeve mes shoqërive tona. Kam bindjen se këto lidhje do të forcohen më tej. Pjesë përbërëse e lidhjeve të ngushta që ekzistojnë mes dy Vendeve tona është bashkësia shqiptare në Itali: ajo përbën sot, për nga numri, bashkësinë e dytë të huaj që banon në Itali, dhe ka dëshmuar – pavarësisht vështirësive të fillimit dhe shumë paragjykimeve – aftësi të mëdha integrimi në sistemin shoqëror, në mjedisin e punës si dhe në atë të sipëërmarrjes italiane, duke ruajtur ndërkohë pasurinë e kulturës, historisë dhe traditave të saj e cila ka rrënjë të lashta në Vendin tonë si dhe në bashkësitë e hershme shqiptare në disa prej krahinave italiane. Dëshiroj të shpreh vlerësimin tim të lartë për ndihmesën e shtetasve shqiptarë që banojnë në Vendin tonë në rritjen ekonomike dhe shoqërore të Italisë, me bindjen se, përmes mbështetjes së Autoriteteve shqiptare, ata do të dinë të vënë në dobi të Atdheut të tyre, përvojat dhe njohuritë e përftuara në bregun tjetër të Adriatikut. Integrimi në rritje i bashkësive tona i ka dhënë udhë dhe disa sfidave: ndër to, më e vështira ka qenë ajo që lidhet me veprimtarinë e një kriminaliteti ndërkufitar, e cila përbën një rrezik të qëndrueshëm e që nuk duhet nënvlerësuar”tha ai.Presidenti italian Giorgio Napolitano po zhvillon në Tiranë një vizite zyrtare. Ai mbërriti në Tiranë mbrëmjen e të martës, ndërsa sot zhvilloi takime me krerët më të lartë të shtetit. Vizitën e tij në vendin tonë pas 17 vitesh, Napoletano do ta përmbyllë me një takim me komunitetin italian në vendin tonë.