Basha-Berisha drejt Irlandës: Do loboj për statusin në Kongresin e PPE
Kreu i PD-së Lulzim Basha i shoqëruar nga ish- kryeministri Sali Berisha dhe deputeti Gert Bogdani niset sot drejt Irlandës, për të marrë pjesë në Kongresin e PPE.Lajmi konfirmohet edhe nga ish-kryeministri Berisha përmes një postimi në fb, ndërsa thekson se do të shfrytëzojë takimet e tij për të lobuar për statusin kandidat.“Të dashur miq, sot nisem për në Dublin, Irlandë, ku jam i ftuar nga Presidenti i Partisë Popullore Europiane, miku im dhe i shqiptarëve, z.Joseph Daul, për të marrë pjesë në cilësinë e të Ftuarit Ndërkombëtar, në Kongresin XXII që Partia Popullore Evropiane (EPP) do të zhvillojë më 6 dhe 7 mars në kryeqytetin e Irlandës, Dublin. Ky Kongres shënon fillimin e fushatës zgjedhore të EPP në nivel BE-je, për zgjedhjet e ardhëshme të Parlamentit Europian që mbahen këtë vit. Ne kongres do takoje miq te shumte dhe do te loboj per statusin e vendit kandidat per Shqiperine. Ky Kongres dhe fitorja e EPP në zgjedhjet e Parlamentit Europian kanë rëndësi të madhe edhe për të ardhmen e Shqipërinë. Uroj sukses të plotë të këtij Kongresi!” shkruan Berisha.Në Kongres, i cili mikpritet nga Kryeministri i Irlandës, Enda Kenny, në të njëjtën kohë edhe lider i Fine Gael, partisë në pushtet, do të diskutohet mbi programin zgjedhor të EPP-së si dhe do të zgjidhet edhe kandidati i saj për President të Komisionit Europian, i cili do të udhëheqë fushatën e ardhëshme fituese të EPP-së.Në këtë Kongres, që përbën një gur kilometrik në historinë e EPP-së, do të marrin pjesë 2.000 pjesëmarrës, përfaqsues të partive anëtare të EPP-së nga 39 vende, ku spikasin 17 krerë qeverish dhe shtetesh si dhe delegacioni i PDSH i kryesuar nga Kryetari Lulzim Basha.