Basha e Berisha nderojnë Adem Jasharin, kurora me lule pranë shtatores së tij

Tirana përkujton sot epopenë e lavdishme të Jasharajve.  Kryetari i Bashkisë së Tiranës dhe kryetar i PD Lulzim Basha, ish kryeministri Sali Berisha, deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, anëtarë të Këshillit Bashkiak, përfaqësues të ambasadës së Kosovës, veteranë të UÇK kanë vendosur sot kurora me lule dhe janë përulur me nderim dhe respekt përpara shtatores së komandantit legjendar, Adem Jashari.“Si çdo 5 mars, prej 5 marsit të lavdishëm të 1998, sot përkujtojmë me krenari të thellë kombëtare një ndër momentet më të shquara të historisë së kombit shqiptar, epopenë e Jasharajve e cila shënon po kështu përshkallëzimin e luftës çlirimtare të Kosovës, si një luftë e bazuar në të drejtën legjitime të qytetarëve kosovarë, të shqiptarëve të Kosovës për liri, për të drejta njerëzore e kombëtare, luftë e cila kulmoi me lirinë e Kosovës, pavarësinë e saj dhe nisjen e rrugëtimit të Kosovës sëbashku me Shqipërinë drejt destinacionit tonë përfundimtar integrimit europian dhe euro-atlantik. Ndërsa gëzojmë frytet e kësaj lirie dhe pavarësie, ndërsa jemi të ndërgjegjshëm për sfidat dhe përgjegjësitë e mëdha që kemi para qytetarëve tanë, sot dhe në të ardhmen, nuk mund të mos kujtojmë se e gjithë kjo është e mundur falë sakrificës sublime, përkushtimit dhe trimërisë të komandantit legjendar të UÇK dhe familjarëve të tij të cilët hapën siparin e sakrificës sublime për mijëra e mijëra burra e gra, të rinj e të reja, shqiptarë të Kosovës dhe anembanë trojeve të kombit tonë, për të kurorëzuar lirinë e shtrenjtë dhe të çmuar me këtë sakrificë kaq të madhe. Duke kujtuar sakrificën e tyre, është edhe një ditë për tu zotuar edhe njëherë për solemnitetin e përgjegjësive që ne kemi para historisë, para sakrificës shumë shekullore që kulmoi me luftën çlirimtare të Kosovës, për të çuar deri në fund amanetin e të rënëve tanë, për një komb në paqe, të sigurt dhe të përkushtuar për mirëqenien e qytetarëve, në cilindo vend që jetojnë, në Republikën e Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë, Preshevë, Mal të Zi apo kudo tjetër, për një komb që të vazhdojë të ruajë dhe të theksojë vlerat e tij europiane dhe euro-atlantike, faqe sfidave dhe përgjegjësive të viteve dhe dekadave që vijnë” deklaroi Basha.Në 5 mars të vitit 1998, familja Jashari u rrethua me mijëra trupa dhe artileri të rëndë serbe.  Qëndresa e Jasharajve me në krye komandantin legjendar Adem Jashari zgjati tri ditë e tri netë. 13 anëtarët e familjes Jashari humbën jetën, sëbashku me komandantin legjendar Adem Jashari.