Buxheti i 2013 në Kuvend, votohet në parim pas disa orësh diskutime mes PD-PS

Dhe pse ishte parashikuar një seancë maratonë, jo rrallë herë duke pritur dhe orët e para të mëngjesit për një rezultat konkret kur bëhet fjalë për diskutimin e pr/buxhetit, ky i këtij viti ka devijuar traditën duke kaluar vetëm pas 9 orësh diskutime.Me 74 vota pro, 56 vota kundër Kuvendi ka votuar në parim pr/buxhetin 2013. Po kështu Kuvendi ka miratuar edhe dekretin e Presidentit për Prokurorin e Përgjithshëm. Adriaktik Llalla tashmë është zyrtarisht Kryeprokurori i ri i vendit, i cili ka arritur të marrë vetëm votat e mazhorancës, të mjaftueshme pas ndryshime kushtetuese lidhur me zgjedhjen eKryeprokurorit, ndërsa opozita i ka qëndruar deklaratave të mëparshme duke e abstenuar në Kuvend.Seanca parlamentare u shoqërua me debate të shumta mes mazhorancës dhe opozitës lidhur me buxhetin, ku Kryeministri Berisha i ftoi deputetët të lënë pas frikën që kanë nga Rama dhe ta votojnë buxhetin më të madh në histori.Ai ka garantuar se më këtë buxhet do të përmbushen objektivat e mandatit tjetër qeverisës, duke rritur rroga e pensione, investime në infrastrukturë, shëndetësi, arsim dhe garantues për ruajtjen e stabilitetit makro ekonomik.Kjo është kundërshtuar fuqishëm nga deputetë të opozitës, duke argumentuar se vendi rrezikohet nga rritja e borxhit.Ndërkaq mazhoranca parlamentare gjithashtu ka votuar për shtyrjen e afatit te komisionit për hetimin e ngjarjeve të 21 janarin,  ndërsa opozita e ka kundërshtuar këtë akt, duke u braktisur edhe Kuvendin.