Noka pret Capolupon: Shqipëria, një partnere e barabartë e Italisë

Ministri i Brendshëm, Flamur Noka, ka pritur sot delegacionin e lartë, kryesuar nga Komandanti i Guardia di Finanza, Capolupo. Duke theksuar bashkëpunimin e shkëlqyer mes Guardia di Finanza dhe Policisë së Shtetit, ministri i Brendshëm Flamur Noka, nënvizoi rolin që ky bashkëpunim ka luajtur në goditjen e fortë ndaj krimit dhe trafiqeve të paligjshme të çdo lloji."Më lejoni t'ju shpreh në emër tim personal dhe Ministrisë së Brendshme vlerësimin dhe konsideratën më të lartë për bashkëpunimin e deritanishëm me Policinë e Shtetit dhe ndihmën e çmuar që Guardia di Finanza i ka dhënë asaj. Bashkëpunimi me të gjitha strukturat e rendit dhe sigurisë italiane, e kryesisht me Guardia di Finanza përbën padyshim një faktor të rëndësishëm në rezultatet shumë të mira që Shqipëria ka patur në këto vitet e fundit kundër krimit dhe trafiqeve të paligjshme, duke bërë që kufijtë blu të Shqipërisë të jenë një barrierë e pakapërcyeshme nga elementët kriminalë dhe trafikantët", tha ndër të tjera gjatë takimit ministri Noka."Bashkëpunimi i shkëlqyer, ndihma dhe partneriteti që Italia na ka ofruar gjatë gjithë kësaj kohe, është provë e besimit të plotë reciprok mes strukturave tona homologe, por edhe mes dy vendeve tona", tha Ministri Noka, duke nënvizuar edhe rolin permanent që ambasada italiane dhe Ambasadori Gaiani ka luajtur në zhvillimin dhe konsolidimin e marrëdhënieve bilaterale në të gjitha fushat.Ndërkohë që Gjen. Capolupo, pasi falënderoi Ministrin Noka për pritjen, nënvizoi rezultatet e arritura nga Policia e Shtetit në luftën ndaj krimit dhe trafiqeve të paligjshme, duke nënvizuar se në saje të kësaj lufte, trafiqet e paligjshme drejt brigjeve italiane janë thuajse inekzistente. Z. Capolupo u shpreh se këto marrëdhënie të hershme bashkëpunimi mes dy popujve tanë gjejnë mishërimin më të mirë në bashkëpunimin pa rezerva mes agjencive tona të rendit dhe sigurisë, duke shtuar se Guardia Di Finanza do të vazhdojë këtë bashkëpunim të shkëlqyer edhe në të ardhmen.Ambasadori i Republikës italiane, në Tiranë, Gaiani, i pranishëm në këtë takim pasi vlerësoi bashkëpunimin e suksesshëm mes strukturave të rendit dhe sigurisë së të dy vendeve, u shpreh se Italia e konsideron Shqipërinë një partnere të barabartë dhe shumë të afërt jo vetëm në kontekstin gjeografik, por edhe si rezultat i bashkëpunimit të ngushtë që dy vendet kanë në të gjitha drejtimet. Ambasadori Gaiani ritheksoi faktin se ambasada e Republikës së Italisë do të mbështesë në vijimësi bashkëpunimin mes dy agjencive.Në mbyllje të takimit, ministri i Brendshëm, Flamur Noka i dorëzoi Certifikatën e Mirënjohjes, Gjen. Bruno Buratti, për meritat dhe kontributin e dhënë në bashkëpunimin e tij me Policinë e Shtetit në luftën e përbashkët kundër krimit.