Cili është ndikimi mjedisor i “furgonët të kthehen bosh”?!
Protesta e sotme e shoferëve të furgonëve është pritur me reagimin “do zbatohet Ligji”, që tingëllon akoma më cinik kur vjen nga një ministër i majtë, por ky nënvizim do të kishte vlerë vetëm në një vend ku politika mbart ideale, të majta a të djathta qofshin, ndaj po e ndërpres mu aty. Sepse në Shqipëri është; Secili ujk për vete. Po ashtu secili qen, e krimb, e mizë.E në këtë rast shoferët e furgonëve, ata të rregulltit, që kanë paguar çdo detyrim, që kanë mjete të standardeve europiane të sigurisë, që kanë përvojë dhe rekord të mirë – këta pra, që me atë mjet mbajnë familjet me bukë dhe çojnë fëmijët në shkollë, kanë qëlluar në fabulën tonë kërmij. Të pafuqishëm për t’u mbrojtur, lehtësisht të shtypshëm nën peshën e… supozojmë Ligjit.Edhe sepse ndërkohë supozojmë se një Ligj është një gjë e mirë. Një rregull në dobi të shoqërisë, dhe individit mbi gjithçka. Por jo, ligji, siç ministri Haxhinasto e sqaroi, lejon ushtrim aktiviteti me taksi 8+1 vetëm brenda qarkut që licencon mjetin. Pra furgonët taksi të Vlorës mund të marrin pasagjerë vetëm brenda qarkut Vlorë. Nëse vijnë për të sjellë ca vlonjatë në Tiranë, nuk mund t’i kthejnë këta mbrapsht në Vlorë, apo të çojë ca tiranas në Vlorë. Furgoni duhet të udhëtojë i zbrazët deri sa të ndodhet fizikisht brenda qarkut Vlorë, dhe vetëm brenda kufijve mund të ushtrojë aktivitetin.Tingëllon si një kufizim i ndjeshëm i lirive ekonomike. Si një ligj, kapriçoz, që rastësisht (?) godet një shtresë që e ka këtë profesion gjënë e fundit, dhe mijëra qytetarët që i përdorin këto mjete për nevoja të përditshme jetese. Jam plotësisht dakord me ndalimin e gjithë abuzimeve me furgonët pasi realisht shumë prej tyre përbëjnë rreziqe të jashtëzakonshme në rrugë, por kjo është detyra e vështirë e shtetit, të ushtrojë Ligjin mbi shkelësit, pa kufizuar aspak lirinë e atij që respekton rregullat. Kjo formë mbart reminishenca të moratoriumit detar. Ligji qartësisht diskriminon një shtresë të rënduar ekonomikisht, ndaj përgjigja “do zbatohet Ligji”, do duhej të ishte e papranueshme në një vend normal.Fillimisht kjo pyetje: Nëse do ta shihnim në një këndvështrim mjedisor, a nuk është kthimi i furgonëve bosh, e kundërta e konceptit “carpool” dhe gjithë të mirat mjedisore të këtij koncepti, a nuk janë kokëposhtë në ligjin tonë? Ky karburant që digjet ndërsa mjeti bën qindra kilometra me ulëset bosh, a nuk janë një humbje e madhe ekonomike? A nuk rëndohet trafiku kur ka më pak njerëz në më shumë mjete? Cili është pra?*Peshkupauje./Burimi: mapo.al/