Huaja e FMN nuk lejon investime të mëdha, Cani: Do shlyejmë detyrimin ndaj biznesit, ulim borxhin

Ministri i financave Shkëlqim Cani ka sqaruar sot marrëveshjen e arritur me FMN-në për lëvirimin e borxhit prej 330 milionë euro për qeverinë shqiptare.Ndërsa e cilësuar këtë marrëveshje si mjaft të suksesshme, Cani theksoi se marrja e këtij borxhi është i domosdoshëm për rimëkëmbjen e ekonomisë dhe do të bëjë të mundur edhe uljen e borxhit."FMN aprovoi marrëveshjen për të mbështetur qeverinë shqiptare me shumë prej 330.9 milionë euro. Kjo është një kredi me terma të butë, më e madhja që i është akordur ndonjëherë Shqipërisë për mbështetje buxhetore dhe që vjen në një periudhë mjaft të rëndësishme për përcaktimin e rrugës drejt konsolidimit të financave publike shqiptare dhe të ekonomisë shqiptare.  Me këtë marrëveshje qeveria shqiptare garanton bizneset për shlyerjen e faturave të prapambetura, proces i cili do të nisë shumë shpejt sidomos pas ratifikimit nga Kuvendi i Shqipërisë. Marrëveshja me FMN-në është marrëveshje për të mbështetur rimëkëmbjen e ekonomisë dhe për mbështetje të programit të qeverisë shqiptare. Programi me FMN-në synon uljen e borxhit publik në një nivele të përshtatshëm për ekonominë shqiptare, por pa rrezikuar rritjen ekonomike, në mbështetje të zhvillimit të ekonomisë dhe të rritjes së saj" tha Cani.Sipas ministrit Cani, marrëveshja me FMN-në, përveç ndihmës së drejtëpërdrejtë për shumën 330.9 milionë euro në tre vjet në terma më të butë sesa kushtet e tregut, i hap rrugën edhe marrëveshjeve të tjera si me Bankën Botërore por edhe të një grandi të mundshëm me Bashkimin Europian."Synimet dhe detyrimet e programit janë në linjë dhe në mbështetje të plotë të programit të qeverisë të paktën në 3 synime kryesore: për konsolidimin e fiskal të ekonomisë shqiptare, për rirëmenaxhimin e financave publike dhe të mos krijohen më borxhe të prapambetura si ato që trashëguam dhe ndihmojnë në uljen e kredive me probleme të ekonomisë shqiptare” shtoi Cani.