Fier, Nënkryetari i Komunës plagos dy persona, Eqerem Braçe qëlloi Klodian dhe Besnik Aliaj

Cilësia e nënkryetarit të komunës, nuk e ka penguar aspak 50-vjeçarin, Eqerem Braçe, të shkrepë armën dhe të lërë të plagosur dy persona.Ngjarja u shënua pasditen e së dielës, në Levan të Fierit, ku zyrtari lokal ka qëlluar ndaj Besnik dhe Klodian Aliajt, përkatësisht 33 dhe 32-vjeç. Plumbat e nxjerra nga arma e nënkryetarit të Komunës kanë mundur të përshkojnë këmbët e Besnik Aliajt dhe Klodian Aliajt, të cilët u dërguan menjëherë për ndihmë mjekësore drejt spitalit rajonal të Fierit.Mësohet se fillimisht mes tre personave të përfshirë ka pasur një sherr, por uniformat blu thonë se motivin do ta tregojnë vetëm pas përfundimit të hetimeve. Policia e Fierit ka mundur të sekuestrojë armën e krimit, ndërsa kanë shoqëruar 50-vjeçarin, Eqerem Braçe si autorin e dyshuar të kësaj ngjarje.Sakaq Uniformat Blu po punojnë për zbardhjen e mëtejshme të rrethanave të ngjarjes. Ndërkohë nga spitali rajonal i qytetit të Fierit bëhet me dije se gjendja shëndetësore e dy shtetasve është jashtë rrezikut për jetën dhe tashmë është normalizuar, pas ndërhyrjes kirurgjikale.