Gjirokastër, sekuestrohen 450 kg drogë, arrestohen dy persona

450 kilogramë marijuanë janë sekuestruar nga policia e Gjirokastrës, ndërkohë që janë arrestuar dy transportuesit e saj, mes tyre një femër, si dhe janë shpallur në kërkim edhe dy persona të tjerë si pjesë e këtij trafiku.Operacioni i koduar "Range" , është zhvilluar në mesnatë nga sektori kundër narkotikëve në aksin rrugor Gjirokastër-Tepelenë, pranë vendit të quajtur Subash, ku janë arrestuar 24 vjeçarja G.Fejzaj, e dyshuar si pjesë e këtij trafiku dhe Mirjan Muhametaj 31 vjeç, që të dy nga Vlora, ndërkohë që janë shpallur në kërkim edhe dy persona të tjerë me inicialet L.T dhe O.D.Lënda narkotike po transportohej drejt qytetit të Vlorës, me destinacion përfundimtar shtetin Italian dhe po shoqërohej edhe nga një tjetër automjet i cili është sekuestruar nga policia.Trafikantët në momentin kur kanë vënë re se po ndiqeshin nga agjentët e policisë kanë devijuar nga aksi nacional në drejtim të fshatit Palokaster, ku janë fshehur në një përrua të zonës por nuk kanë arritur ti shpëtojnë arrestimit.Policia bën me dije se lënda narkotike ishte siguruar në fshatin Lazarat dhe kishte si destinacion Italinë.Në cilësinë e provës materiale përveç 450 kilogramëve marijuanë janë sekuestruar edhe dy automjetet ndërsa po punohet për ndalimin e anëtarëve të tjerë të këtij trafiku, të cilët janë shpallur në kërkim nga policia e Gjirokastrës.