Atentatet me mina celularë, AKEP: Të regjistrohen numrat brenda 6 Marsit
Çdo abobent duhet që të bëj regjistrimin individual të numrit celular deri në datën 6 mars ose në të kundërt do të bllokohet.Ky vendim është marë pas një kërkese të Ministrisë së Brendshme me anë të një letre ku i është kërkuar kreut të AKEP, Pirro Xhixho, që të mbyllë menjëherë numrat e tepërt të regjistruar në emrin e të njëjtit person.Sipas Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, ky fenomen i trashëguar prej kohësh është kthyer në një problem që po cënon drejtpërdrejt sigurinë kombëtare, rendin publik e mbi të gjitha jetën e qytetarëve, pasi numra celular të paregjistruar janë përdorur në disa shpërthime me tritol të ndodhura në vend kohët e fundit.Në këtë mënyrë, Agjensia e Komunikimeve Elektronike dhe Postare i ka kërkuar të katër kompanive celulare që operojnë në vend që duke filluar nga data 22 Shkurt 2014, të njoftojnë nëpërmjet një mesazhi SMS të unifikuar të gjithë ata pajtimtarë që rezultojnë nën një emër kur grupi i tyre kalon shifrën 20, paraqitjen pranë pikave të autorizuara për ri-regjistrimin e tyre individual. Kjo masë po ndërmerret në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme në kuadrin e masave për shmangien dhe eleminimin e problematikës së krijuar kohët e fundit në rendin publik nga përdorimi i aparateve celulare në shpërthimet e telekomanduara.Për këtë qëllim i është kërkuar të katër operatorëve celularë që në rast të mos paraqitjes së pajtimtarit për ri-regjistrim, ai numër telefoni do të bllokohet deri në regjistrimin e tij.