Hapet lulishte e re në ish-bllok, Lame: Simbolikë në ditën e 20 shkurtit
Ditën e rrëzimit të bustit të diktatorit Enver Hoxha, drejtori i ALUIZNI-t Artan Lame, si ish-student dhjetori ka zgjedhur të kujtojë këtë ditë duke i rikthyer një lulishte qytetarëve të Tiranës. Lulishtja tek vila 30 e njohur si banesa e ish-Kryeministrit të komunizmit Mehmet Shehu, nuk do të këtë me kangjella rrethimi por do të jetë e përdorshme nga kryeqytetasit.
“Ashtu si në përrallat mesjetare, ku flitet për ishullin që nuk është, edhe kjo është një lulishte që nuk ishte. Në kuptimin që të gjithë ne, qytetarët, kalonim në këtë zonë të Tiranës, kthenim maksimumi kokën këtej, shikonim që ishte një park i parrethuar, por nuk hynim. Pjesërisht në zona të caktuara ishte edhe i rrethuar, por asnjëherë nuk ka qenë pjesë e qytetit. Thënë të drejtën ishte një bujari dhe një punë e madhe edhe e vetë Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare që bashkë me Gardën e Republikës përcaktuan një ndarje të zonës që mund t’i kthehej qytetit nga kjo lulishte, dhe të zonës që i duhet mbetur institucioneve të sigurisë, sepse janë vilat qeveritare këtu.Që sot, kjo pjesë e madhe e kësaj lulishteje të qytetit i kthehet prapë qytetarëve. Ne bëmë goxha punë edhe për risistemimin e saj sepse në gjithë këto vite, ajo gati ishte kthyer në një lloj xhungle brenda qytetit dhe që sot ajo është e hapur për të gjithë qytetarët. Sot është dhe kjo dita që unë do të kisha dëshirë të kujtoja rrëzimin e monumentit të diktatorit. Por po e kujtoj nga kjo lulishte se atje ku duhet të isha, 20 e ca vjet të shkuara kam qenë në grevën e studentëve, nuk shkoj dot sot, se as më ka ftuar njeri dhe do të më shikonin me inat po të shkoja. Të paktën e kujtoj nga kjo lulishte e re, nga ky mur i fundit i bllokut që ne po ia kthejmë qytetit” tha Artan Lame.Artan Shkreli, sqaroi se kjo ishte një dëshirë e kryeministrit Edi Rama. Ndërsa shtoi se kjo zonë do të vazhdojë rehabilitimin me elementë të tjerë që i duhen një parku.
“Ishte një dëshirë e kryeministrit që, pikërisht, për të kujtuar momentin e rënies e bustit të diktatorit, ta shoqërizonte në mënyrë simbolike, nga njëra anë me rënien e kësaj ndalese tek ky kopsht, të kësaj tabuje të fundit që kishte ngelur në kryeqytet nga Blloku i dikurshëm, por edhe në mënyrë jo simbolike, por funksionale, për t’ia dhënë qytetarëve, fëmijëve, grave, moshave të treta, këtë hapësirë, e cila në një farë mënyrë, më tepër u hap, u rehabilitua në pikëpamjen e aksesit.Besoj që në periudhën në vijim, ky park i cili filloi rehabilitimin e tij do të ngrihet në një rang më të lartë, jo vetëm me futjen në punë të basenit ujor që është këtu, jo vetëm me stolat dhe rrugicat që janë shtruar, por do të vihet dhe ndriçim kontemporan. Ndoshta mund të futen dhe elemente të tjerë urbanë, siç janë lojërat për fëmijë, apo pika të tjera informacioni, rekreative, por natyrisht asnjë lloj ndërtimi sikurse, për fat të keq shpeshherë ka ndodhur në kryeqytetin tonë” tha ai.Për Shkrelin dhe Lamen me këtë nisëm ka rënë dhe muri i fundit i ish-bllokut në tiranë,pasi ishte e vetmja zonë e gjelbër që nuk lehohej qarkullimi i qytetarëve.