Kryetari i Kuvendit, Meta takim me Presidentin e Parlamentit të Libanit, Nabih Berry

Kryetarit i Kuvendit, Ilir Meta priti sot Presidentin (Kryetarin) e Parlamentit të Libanit, Nabih Berry. Pas takimit mes delegacioneve, Meta dhe Berry dhanë një prononcim të përbashkët për mediat.Në fjalën e tij, Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë falënderoi homologun e tij nga Libani që pranoi ftesën për të vizituar për herë të parë vendin tonë.“Z. Berri është personaliteti më i lartë politik nga Libani që viziton vendi tonë. Mund ta cilësoj këtë vizitë si historike e cila do t’i japë një shtysë domethënëse marrëdhënieve shumë të mira mes dy vendeve tona, marrëdhënie të cilat janë tradicionale”, tha Meta.Kryetari i Kuvendit tha se gjatë takimit u bisedua për marrëdhëniet tepër pozitive politike, diplomatike dhe historike mes Shqipërisë dhe Libanit, dhe duke marrë në konsideratë edhe lidhjet miqësore mes dy popujve tanë, u ra dakord të punohet për forcimin konkret të tyre në të gjitha fushat me interes reciprok, si në planin dypalësh, ashtu edhe në kuadër të organizatave ndërkombëtare.Gjithashtu, Meta u shpreh se i ka përcjellë z. Berri kërkesën e vazhdueshme të Shqipërisë për njohjen e Shtetit të Kosovës nga Republika e Libanit, duke e vlerësuar këtë si një hap të rëndësishëm që do të ndihmonte në forcimin e marrëdhënieve midis dy vendeve tona dhe do të hapte rrugë të reja bashkëpunimi mes Libanit dhe gjithë rajonit tonë.Nga ana e tij, Presidenti i Parlamentit të Libanit, Nabih Berry deklaroi se Asambleja Kombëtare e Libanit do t’i lejojë qeverisë sapo të fillojë punën e saj të përfundojë marrëveshjet me Shqipërinë për transportin ajror, detar, si dhe heqjen e taksimit të dyfishtë në mbrojtjen e investimeve.“Asambleja Kombëtare e Libanit dhe Kuvendi i Shqipërisë do të ndihmojnë tek qeveritë e dy vendeve për të diskutuar marrëveshje për bashkëpunimin tregtar, kulturor dhe shkencor”, tha ndër të tjera Nabih Berri.  Pas konferencës për shtyp, Presidentin e Parlamentit të Libanit, Nabih Berry ka zhvilluar një vizitë në sallën e seancave plenare.