Rama me Ekselentët e Maturës Shtetërore : Reforma në arsim e domosdoshme
Nga OraNews Përditësimi i fundit 19 Shkurt 2014, 18:53
Reformimi i maturës shtetërore është mëse i domosdoshëm. Kështu është shprehur kreu i qeverisë, Edi Rama gjatë një takimi me nxënës të ekselencës, ku tha se sistemi i tanishëm është i dështuar, ndërsa shtoi se është koha që gjithçka të fitohet me meritë.
“Reforma e Maturës Shtetërore është një reformë e domosdoshme dhe mund ta themi me plot gojën që kemi një dokument plotësisht të besueshëm për ta ndërmarrë këtë reformë dhe për të filluar të shikojmë vit pas viti efektet pozitive të saj. Ajo që dua të nënvizoj është se kemi nevojë ti japim shumë më tepër vend meritës dhe të krijojmë shumë më tepër hapësirë për konkurrentët. Duke i dhënë shumë më tepër vend meritës do kemi shumë më tepër sukses jo thjesht individual jo vetëm për ju por edhe për të tjerë që në sistem motivues janë shumë më pranë suksesit sesa dështimit. Sistemi që kemi sot është një sistem që nuk motivon suksesin dhe e fsheh dështimin. Kush merr notën më të lartë nuk merr atë kënaqësi që i takon as me veten e tij as në mjedisin që e rrethon dhe ai që ka dështuar nuk e merr vesh që ka dështuar”, u shpreh Rama.Kryeministri Rama solli në vëmendje arsimin profesional, ku tha se kjo e fundit është rruga e duhur drejt garantimit të suksesit.
“Nuk mund tu vëmë nxënësve që së shpejti do kenë maturën e tyre gjithë barrën e një trashëgimie shumë të vështirë. Ne e konsiderojmë absurd që gjuha e huaj prej kohësh është hequr si provim por nuk mund të themi që qysh këtë herë gjuha e huaj të jetë provim si gjithë të tjetër dhe ti penlizojë të gjithë. Do ecim në korsinë që të çon në rrugën e zanatit që do të thotë në rrugën e arsimit profesional. Nga një raport i brendshëm i departamentit të administratës publike lidhur me nivelin e arsimimit të njerëzve që janë marrë në punë në administratë rezulton një situatë dramatike përsa i përket fluksit të jashtëzakonshëm të diplomave Masterave, Doktoraturave të marra nga të katra anët të barasvlershme por tregues i shkatërrimit të sistemit të meritës dhe vlerave të ndërtuara përmes punës në rrugëtimin akademik. Nuk besoj se ka shtet në botë që të na konkurrojë për Doktor Shkencash për metër katror pa llogaritur Masterat që i kemi çdo 100 metër katror. Kështu shkojmë drejt shkatërrimit. Reforma në arsim është një reformë që politikanët kanë tendencën ta shtyjnë se nuk jep rezultate të shpejta të përkthyera elektoralisht”, theksoi kryeministri.Edi Rama vijoi më tej duke ironizuar sistemin e tanishëm të arsimit, ku sipas tij reforma në arsim është një reformë që politikanët kanë tendencën ta shtyjnë ,se nuk jep rezultate të shpejta të përkthyera elektoralisht.