Rrugët marrin dhe tre jetë, aksidentet në Pogradec, Laç, Milot
Tre të vdekur dhe dy të plagosur është bilanci tragjik i tre aksidenteve të ndodhura gjatë ditës së sotme në Pogradec, Laç e Milot. Aksidenti i parë u regjistrua rreth orës 16:45 në lagjen numër 1 në Pogradec, ku një automjet tip ‘Benz’ me targa PG 5287 B ka humbur kontrollin dhe është përplasur me një pemë, duke përplasur aty edhe dy kalimtarë.Përplasja ka rezultuar fatale për njërin prej kalimtarëve, përkatësisht 55-vjeçarin Bashkim Pera, i cili mbeti i vdekur në vend, ndërsa shtetasi Fahri Neziri, 56 vjeç është dërguar në gjendje të rëndë në spital. I plagosur rëndë nga ky aksident ka mbetur dhe drejtuesi i mjetit, Sinjaku.Blutë bënë të ditur se shkak i aksidentit ka qenë shpejtësia tepër e madhe me të cilën drejtuesi i mjetit Renato Sinjaku ka qenë duke drejtuar mjetin.Pothuajse në të njëjtën kohë me aksidentin në Pogradec, një aksident tjetër i rëndë me pasojë vdekjen e një personi u shënua në Lac. Një i moshuar rreth 75 vjec ka gjetur vdekjen e menjëhershme pasi u përplas me një makinë. Në momentin e aksidentit, i moshuari ishte duke lëvizur me një bicikletë. Policia në vendin e ngjarjes po heton mbi ngjarjen.Ndërkaq rreth orës 20:15 të mbrëmjes së të enjtes në Kurbin u regjistrua një tjetër viktimë. Aksidenti ndodhi në fshatin Skuraj, në Rrugën e Kombit , ku një furgon i cili drejtohej nga 52-vjeçari Prek Kuka përplasi për vdekje 77-vjeçaren Dava Marku, teksa kjo e fundit i preu rrugën. Në vendgjarje mbërritën menjëherë forcat e policisë, të cilat shoqëruan edhe drejtuesin e mjetit.