Universiteti dhe dinjiteti njerëzor

Dëgjojmë shpesh të diskutohet rreth rolit të universitetit si një tempull i dijes, si një institucion ku fitohen dhe zhvillohen vlerat më të larta të individit, ku dinjiteti i njeriut konceptohet si vlerë e shtuar dhe e pacenueshme. Por, a është vallë ky koncepti për Universitetin shqiptar? Universitetet në vendin tonë kanë një historik relativisht të shkurtër jetësor, krahasuar me vendet perëndimore si Gjermania, Italia, Franca etj. Ky fakt sigurisht që mund të na penalizojë në cilësinë e arritjeve shkencore, por edhe në aftësinë produktive të një kapitali njerëzor të mirëformuar. Përgjatë njëzet viteve të fundit, universiteti është konsideruar në forma të ndryshme dhe përdorur për qëllime të ndryshme, duke harruar shpesh qëllimin kryesor që ka ky model institucional, që është ai i formimit dhe edukimit të shoqërisë njerëzore, formimit dhe modelimit të identitetit personal dhe profesional të të rinjve që janë e ardhmja e një kombi.Gjendja e mjerueshme aktuale në të cilën ndodhen universitetet tona e fakton këtë. Aktualisht një pjesë e mirë e këtyre institucioneve, qofshin këto publike apo private, e kanë humbur kuptimin e të qenit mbartës të dijes dhe aftësinë e të formuarit të brezave të ardhshëm, kjo pasi në shumë raste është keqkuptuar me dashje ose jo roli që ky institucion duhet të ketë dhe qëllimi parësor themelor që ai ka. Është harruar dhe braktisur koncepti i kërkimit shkencor, është harruar koncepti i të qenit mësimdhënës, është harruar koncepti i respektimit të dinjitetit njerëzor, është harruar roli që secili prej aktorëve universitarë ka dhe duhet të ketë në mbarëvajtjen e tij. Nga ky fakt nis nevoja e një ndryshimi rrënjësor në mënyrën e të konceptuarit të institucioneve të arsimit të lartë, duke filluar që nga riaktivizimi i qëllimit universal, që është ai i një edukimi bashkëkohor dhe cilësor, deri në rikonceptimin e idesë edukative institucionale.Nuk mundet, që në shekullin në të cilin po jetojmë e në prag të një anëtarësimi të mundshëm në familjen e madhe europiane, lajmet apo faktet që burojnë nga universitetet tona të jenë ato të diplomave jocilësore, të dyshimta e të cunguara. Nuk mundet që produkti i universiteteve tona të jetë ai, i cili nuk mund të përshtatet me tregun dhe ofertën e punës dhe gjithashtu me nevojat aktuale të shoqërisë globale. Nuk mund të diskutohet apo të vihet ende në dyshim cilësia e personelit pedagogjik dhe pikëpyetjet e mbartura në lidhje me aftësitë e tyre profesionale dhe njerëzore.Ka ardhur koha tashmë që këta kapituj problematikë të fshihen një herë e përgjithmonë nga historiku dhe paraqitja e universiteteve tona. Pikërisht reforma aktuale e shumëpritur duhet të ketë këtë si objektiv parësor. Universitetet tona duhet të kthehen në konceptin e tyre natyror, atë të institucione edukative njerëzore par excellence dhe jo të vazhdojmë të mbetemi në qorrsokakun ku aktualisht kemi arritur. Nuk mund të qëndrojmë akoma të mbyllur në mentalitetin mbytës të situatës së krijuar, duhet të çlirohemi si fillim në mendjet tona duke qartësuar objektivat që duhet të ndjekim. Duhet të kuptojmë përfundimisht rolin që kanë studentët në zhvillimet institucionale dhe jo të lihen në prapavijë, si dhe të kuptohet roli që secili prej nesh ka dhe duhet të ketë në reformimin e këtyre institucioneve. Nuk mund të besohet në një ringritje institucionale pa u ndërgjegjësuar për faktin që universiteti është një e mirë e përbashkët dhe jo një ngrehinë e rrënuar ku të gjithë mund të strehohen duke patur si qëllim vetëm interesin personal. E pra, ky moment ka ardhur. Asnjëri prej nesh nuk mund dhe nuk duhet të qëndrojë pasiv përballë kësaj nevoje akute të institucioneve tona dhe sidomos të shoqërisë sonë. *Prof. As. Dr. Edi Puka është pedagog në Universitetin Europian të Tiranës./Burimi: mapo.al/