Miq që kurojnë miq
Rolin e kuratorit mund ta bëjë çdokush. Dhe ka plot shembuj kur një filozof, një arkitekt, një shkencëtar, një shkrimtar, ose kushdo tjetër ka kuruar ekspozita arti vetjake apo kolektive. Shumë prej këtyre kuratorëve kanë hedhur dritë mbi veprën e ndonjë artisti apo tematike të caktuar në mënyra idiosinkretike dhe ftuese për një debat të ndryshëm nga ç’ofron kuratori profesionist.Mes tyre ka patur edhe shumë artistë që kanë luajtur rolin e kuratorit. Historia e artit është e pasur me shembuj artistësh që kanë organizuar, prezantuar dhe shkruar jo vetëm për miqtë e tyre artistë, por edhe më gjerë dhe në role institucionale. Disa prej këtyre ekspozitave kanë hyrë në histori për dizajnin (formën e ekspozitës), për artikulimin e një pozicioni artistik, ose për trajtimin e ekspozitës si vepër artistike me të drejta më vete. Mjafton të përmendim El Lissitzkyn, por ka edhe plot shembuj të tjerë më të rinj të artistëve kuratorë, të cilët kanë hartuar dhe hapur horizonte të reja në këtë drejtim.Në fakt, kuratorët që kanë ndërtuar dhe përkufizuar më së miri disiplinën e kurimit kanë ardhur prej teatrit, shkencave politike, antropologjisë ose kanë qenë vetë artistë, por çka i ka dalluar nga kolegët e tyre me prejardhje nga historia e artit, apo shkencave muzeale, ka qenë qasja diskursive ndaj artit dhe rolit të tij në shoqëri. Duke mos e trajtuar artin dhe artistin në vakuum, ekspozitat e tyre kanë lejuar që artistët, veprat e tyre, dhe vetë ekspozita si formë të futen në komunikim jo vetëm me historinë e artit dhe problemet e disiplinës, por edhe me krejt shoqërinë, duke u bërë pjesë e debatit publik të kohës.Në parim, se kush mund të jetë e kush duhet të jetë kurator, nuk është debat interesant; po aq sa nuk është edhe se kush mund e kush duhet të jetë artist — sado që shumë artistë përpiqen ta dekurajojnë idenë dhe praktikën e shumë kuratorëve që janë edhe artistë. Në Shqipëri, ky debat ka ndodhur vetvetiu me daljen në skenë të kuratorit dhe shfaqjen e artit bashkëkohor në vitet 90. Rezulton se, përjashto një a dy individë, ata pak kuratorë që kanë operuar në truallin shqiptar janë trajnuar dhe kanë qenë aktivë si artistë para se të marrin përsipër rolin dhe përgjegjësitë e kuratorit.Ashtu si dhe kolegët e tyre që u prinë dhe iu përgjigjën nevojave të artit bashkëkohor në fillimet e tij në vitet 60-70 në Perëndim, artistët-kuratorë në Shqipëri ishin kritikë ndaj prezantimit dhe artikulimit të një arti të sapolindur dhe të ndërlidhur me një publik po aq të brishtë sa dhe arti asokohe. Disa prej tyre tashmë kanë ndërtuar karriera ndërkombëtare si kuratorë, ndërkohë që pjesa më e madhe e kanë luajtur rolin e kuratorit ad hoc, ndërkohë që vazhdojnë të ekspozojnë edhe si artistë.Shpeshherë dëgjojmë prej artistëve të rinj që në Shqipëri nuk ka kuratorë. Me këtë ata kanë parasysh kuratorë profesionistë, ose individë që kurojnë jo vetëm kur iu bie radha, por që vazhdimisht mendojnë dhe eksperimentojnë mbi ekspozitën si formë si dhe lëvrojnë metoda të prezantimit të artit dhe të komunikimit me publikun. Dhe, vërtet, të tillë nuk ka, por jo për faj të atyre pak individëve që kurojnë herë pas here, apo edhe rregullisht, në hapësirën shqiptare. Problemi i mungesës të kuratorëve në vend, si vokacion më vete, është sa i ndërlikuar dhe i veçantë për skenën shqiptare, dhe nuk bën të fajësojmë këtu ata që i përgjigjen thirrjes për të kuruar. Kuraja e tyre, ashtu si dhe ajo e artistit, është një përpjekje që duhet vlerësuar për kontributin, konsolidimin dhe çuarjen përpara të çështjeve të artit në vend.Por njëkohësisht, kjo nuk i shfajëson apo çliron ata nga përgjegjësia e të bërit mirë e me bindje punën e një kuratori. Përgjegjësia e tyre është e dyfishtë. Së pari ndaj artistit dhe veprës, dhe së dyti ndaj publikut. Një kurator i mirë gjen një ekuilibër të mirë midis këtyre dy forcave, duke i kushtuar vëmendjen e duhur secilës: artistit që kërkon mbështetje, sfidë, përplasje idesh, dhe një farë përkthimi tekstual më një anë, dhe publikut që kërkon ta përballësh, shoqërosh, dhe prezantosh me artin dhe artistin më anë tjetër. Përveçse kur puna e një artisti kërkon shumë më tepër vëmendje nga qarqe apo lëvizje artistike të veçanta se sa nga publiku i gjerë, çka është rast metodologjik dhe nevojë artistike më vete, nëse balanca anon nga njëra anë më shumë se tjetra, rreziku është i madh për të dyja palët, si për artistin, dhe për publikun.Ndër shumë probleme kuratoriale në Shqipëri, po dua të fokusohem tek ai i teksteve që shoqërojnë ekspozitat, pasi pikërisht nëpërmjet këtyre teksteve publiku, madje edhe vetë artistët, informohen mbi protokollin që duhet të adoptojnë, si dhe edukohen për qasjen që duhet të kenë ndaj artit dhe shqetësimeve artistike. Duke mos qenë e pranishme për t’i përcjellë ekspozitat aty për aty, ndodh që tekstet shoqëruese të ekspozitave t’i lexoj me ëndje dhe vëmendje për të mësuar e kuptuar diçka për ekspozitën, artistin(ët), dhe veprat e ekspozuara. Për fat të mirë, kam mjaftueshëm njohuri mbi artistët shqiptarë dhe veprat e tyre (falë Internetit dhe komunikimit privat me ta), si dhe jam trajnuar të lexoj tekste komplekse e teorike mbi artin bashkëkohor. E megjithatë, kjo nuk më ndihmon kur has në tekste të shkruara nga artistë-kuratorë të ndryshëm shqiptarë.Ndonjëherë dyshoj mbi aftësitë e mia në shqip, por kur ua kaloj shkrimet miqve të mi që i konsideroj si më të kënduar, në mos ekspertë të gjuhës shqipe, ata më konfirmojnë se tekstet nuk deshifrohen dot. Problemi nuk është vetëm tek gjuha e përdorur për artin apo për koncepte dhe vepra artistike të ndërlikuara, të tilla që nuk mund të shmanget kompleksiteti gjuhësor, por tek një gjuhë e drunjtë, kriptike, kinse filozofike, tejet abstrakte dhe poetike, pa qenë nevoja. A thua se gjithë çfarë kuratori mund të ofrojë nuk është gjë tjetër përveç fluturimeve poetike të frymëzuara nga përjetimi i punës artistike!Kjo nuk do të thotë se gjuha e kuratorit duhet të jetë detyrimisht e thjeshtuar, apo se mund të reduktohet aq sa t’i bëjë dëm një artisti që prezanton koncepte të ndërlikuara e që kanë nevojë për kontekstualizim. Por problemi është se shpesh herë, hasim në tekste kuratoriale të cilat nuk komunikojnë gjë tjetër përveç gjendjes së dehur të autorëve të tyre, orakuj të keqkuptuar që nuk mund të komunikojnë përveçse përçart. Arti i teksteve kuratoriale ka të tjera ligje nga arti i poezisë, megjithëse poetikja nuk duhet t’i mungojë. Tekstet kuratoriale duhet mbi të gjitha të komunikojnë frytshëm me një gamë të gjerë lexuesish, që nga më profesionisti i fushës së artit e deri tek lexuesi më i rastësishëm.Ndërkaq, ndodh që në Shqipëri, përveç artikujve të gazetave, të cilat në fund të fundit thjesht sa parafrazojnë, teksti kuratorial është e vetmja formë e komunikimit me publikun, dhe si e tillë, i ka rënë barra të jetë edhe teorik, edhe akademik, edhe kontekstualizues, dhe gjithçka tjetër. Sado që idealisht, teksti kuratorial është vendi i duhur për të shpalosur jo vetëm përshtypje personale, por edhe akademizma dhe teori, niveli me të cilën bëhet kjo në Shqipëri, o është i tepërt, o është i mangët. Pra, megjithëse në tekstet kuratoriale mund të bujnë edhe specie të tjera diskursesh përveç atij komunikativ dhe kontekstualizues, është e tepërt që po këto tekste të ngarkohen me teori dhe filozofi opake personale të kuratorëve të rastit, apo që të përdoren për të ushtruar autorët dorën në publicistikë, po aq sa ç’është e mangët që aty të hidhet një term i pakontekstualizuar nga Bouriaud, Groys a Kant, për piperosje, a shpalosje erudicioni, kush e di.Ndërkohë që ligjërimi në shqip ka nevojë për lëvrim dhe zhvillim, (pse jo edhe për eksperimentim, si në lëmin e teorisë dhe në atë të përshtypjeve; apo qoftë edhe në lëmin filozofik, në daç mbi artin e në daç mbi “avlli” të tjera) ajo që na ofrohet ndodh të jetë shpesh herë masturbim intelektual më një gjuhë qëllimshëm të vështirë, e cila funksionon jo vetëm si maskim i të mos pasurit gjë për të thënë, por edhe si shenjë e një autoriteti të rigjetur, madje edhe si zgjatim i të qenit artist — mundësisht i pakuptuar.Në fakt, kjo është simptomë e mënyrës dominante se si figura e artistit perceptohet në shoqërinë shqiptare. Duke marrë parasysh rreziqet e gjeneralizimit të tepërt, duhet thënë se një brez i tërë artistësh (të cilët fatkeqësisht kanë përjetuar traumën e një regjimi të rreptë dhe brutal) kanë ndërtuar si mekanizëm mbrojtjeje një imazh për veten që do t’i shkonte më mirë shekullit të artistit romantik e të keqkuptuar nga shoqëria. Imazh narcisist dhe i dhunshëm, sa ndaj publikut dhe ndaj brezit më të ri, të cilët detyrohen më pas, me dijeni të plotë për mangësitë e këtyre artistëve kuratorë, të bëhen miq, që të kurohen nga miq që kurohen nga miq. Në vend, pra, që t’i paraqesin kolegët e tyre artistë (shpesh herë më të rinj dhe po aq në nevojë për udhërrëfim sa edhe publiku i gjerë) në një dritë sa më të qartë dhe në mënyrë sa më të kapshme, ata vetëm sa e veshin artistin dhe procesin artistik (dhe rrjedhimisht vetveten) me një petk misterioz dhe të paarritshëm. Dëmi në këtë mes u bëhet sa vetë artistëve aq edhe potencialit të teksteve kuratoriale për të komunikuar dije dhe art.Që teksti kuratorial duhet të komunikojë, kjo nuk do të thotë se duhet të jetë ilustrativ, didaktik apo propagandistik. Përkundrazi, duhet të ketë një distancë kritike që as tekste të tilla, dhe as tekstet opake, nuk mund ta përçojnë tek publiku. Është pikërisht me anë të kësaj distance kritike, që tekstet kuratoriale e bëjnë të mundur kontekstualizimin, si për publikun prezent, ashtu edhe për një publik dytësor. Pasi ndodh që publiku mund të ndodhet në një distancë gjeografike, apo kohore nga ekspozimi i një pune, por një tekst i mirë kuratorial e bën të mundur informacionin, madje edhe përçimin e përshtypjeve, edhe për një publik të tillë.Distanca kritike, por edhe historike, që duhet të kenë tekste të tilla, është e vetmja distancë që bën të mundur të kuptojmë nga një pikëvështrim diakronik, si artin bashkëkohor, ashtu dhe shoqërinë të cilën e prodhon dhe e konsumon. Vetëm kështu, këto tekste do të mbeten si të vetmet prova e dëshmi për çfarë ka ndodhur në skenën e artit në një kohë të caktuar. Nesër pasnesër, këto tekste do të arkivohen, dhe në mungesë të platformave të tjera ku mund të informohemi mbi artin, do të përdoren nga hulumtuesit për të kuptuar dhe historicizuar artin në Shqipëri.Duke mos pasur, pra, një kritikë të zhvilluar, publikime akademike, gazetarë që bëjnë punën e tyre, blogje të mirëmbajtura nga aktorë të ndryshëm individualë apo kolektivë në skenën e artit, apo platforma të tjera ku të mund të diskutohet për artin, barra iu bie këtyre teksteve të jenë gjithëpërfshirëse dhe të luajnë role të ndryshme, brenda një hapësire prej jo më shumë se një a dy faqe tekst. Por kur këto tekste nuk mund t’i deshifrojmë dot as sot, (madje për disa syresh jam gati të vë bast se pa mbushur mirë java as autorët e tyre nuk do jenë më në gjendje të tregojnë me sinqeritet të plotë se ç’kanë dashur të thonë) për historianët do të jenë si të shkruara me hieroglife.Në përfundim, nuk dua të tingëlloj si ai që veç ankohet prej së jashtmi, ndërkohë pa i njohur shqetësimet e atyshme dhe pa ofruar gjë. Në 2012, pasi lexova një tekst dembel, gati abstrakt, dhe aspak bujar të një artist-kuratori në lidhje me ekspozitën e një artisti tjetër, puna e të cilit besoj se meritonte më shumë vëmendje dhe bindje, reagova shpejt e shpejt në Facebook ku dhe e lexova. Minuta pas komentit tim, marr një mesazh privat nga vetë artisti, i cili pohon që teksti i ishte dukur edhe atij po aq i dobët dhe i padeshifrueshëm, megjithëse ishte shkruar për punën e tij. Ndër të tjera, thotë: “Ndaj të njëjtin mendim edhe pse nuk më takon personalisht të komentoj publikisht, kjo ekspozitë për mua ka qenë gjithashtu një përballje edhe me ato që me pa tjetër kanë dashur të kurojnë ekspozitën, duke mos e kuptuar aspak atë.”Po njësoj, dhe në lidhje me po të njëjtin artist-kurator, para disa javësh isha në Tiranë dhe një tjetër artist më thotë që po përgatit një ekspozitë vetjake për në pranverë. Pa e pyetur unë, më tregon, si për t’i paraprirë ndonjë vërejtjeje nga ana ime, se për kurator s’kishte si mos zgjidhte tjetër, qoftë për hatër miqësie, qoftë për fuqinë që ky artist-kurator ka në skenën lokale, ku mosthirrja e tij si kurator mund ta dëmtonte artistin në fjalë. Ashtu si dhe artisti më sipër, edhe ky artist më shprehu të njëjtën pakënaqësi: që kuratori jo vetëm që nuk ia kupton punën dhe nuk merr parasysh dëshirat e artistit për ekspozimin e punës së vet, por edhe rrezikon të stampojë vulën e vet mbi të.Dua ta mbyll, pra, me një thirrje për artistët e sotshëm. Një ekspozitë vetjake, për çka vlejnë më tepër vërejtjet e mësipërme, nuk ka nevojë për një kurator, as për një tekst kuratorial që ta sanksionojë artistin dhe punën e tij. Por si kuratori, ashtu edhe teksti, janë të vlefshëm vetëm nëse kuratori luan rolin e një bashkëbiseduesi për artistin, teksa ky i fundit përgatitet të paraqesë procesin dhe punën e vet jashtë studios. Teksti shoqërues arrin të artikulojë kështu, pikërisht këtë marrëdhënie mes kuratorit, artistit dhe publikut, ku kuratori krijon atë distancën e duhur kritike duke funksionuar herë si mëkëmbës i njërit herë i tjetrit, por kurrsesi duke veshur petkun e figurës autoritare. Çfarëdo qofshin politikat e artit në vend, askush nuk zotëron autoritet më të madh për të kontekstualizuar punët tuaja se sa ju vetë. Tekstet për të cilat po flas këtu, e që do të ishte për turp t’i thërrisja në emër autorët e tyre, shpesh herë janë shkruar në një shqipe jo thjesht të varfër, por që nuk është as shqip fare. Është detyra juaj t’i dilni për zot mënyrës se si puna juaj duhet paraqitur. Nëse duhet patjetër të keni një tekst kuratorial, jo vetëm që ju bie barra ta korrigjoni vetë, si në nivel gjuhësor dhe në nivel idesh, por ky tekst as që mund të konsiderohet përfaqësues i punës tuaj pa vulën tuaj të miratimit. Aq më tepër duhet të bëni kujdes nëse jeni artistë të rinj e të paprezantuar mirë në skenën e artit, pasi në fund të fundit, përshtypjet e para janë gjithçka.*Eriola Pira është editore e revistës amerikane Guernica. /Burimi: mapo.al/