Raporti për lirinë e medias, qeveri-opozitë “përplasen” për meritat

'Shqipëria nuk është më një vend në të cilin mediat blihen, kërcënohen dhe kontrollohen nga pushteti''. Kështu deklaroi Ministrja e Inovacionit Milena Harito, referuar raportit më të ri të organizatës Reporterët pa Kufij për lirinë e shtypit, i cili theksonte rritjen progresive të lirisë së mediave në vend. Sipas saj qeveria e re po bën gjithçka që media të ushtrojë të gjithë lirinë e saj dhe të kryejë misionin e saj të mohuar prej vitesh.''Ka kaluar përfundimisht si koha kur ish-presidenti Sali Berisha renditej ndër 10 armiqtë e lirisë së shtypit në botë , ashtu edhe koha e blerjes ose të shkatërrimit të mediave sipas interesave partiake. Qeverisja jonë po krijon një frymë sigurie dhe progresi, duke forcuar pavarsinë e medias, duke synuar të krijojë transparencë të plotë për sa i takon pronësisë dhe financimit të saj, duke krijuar të gjitha kushtet që gazetarët të ushtrojnë në mënyrë të lirë, të pavarur dhe dinjitoze profesionin e tyre"tha Milena Harito.Për raportin ka reaguar edhe kryetari i Komisionit parlamentar të medias, Genc Pollo, i cili akuzoi qeverinë se po tenton të marrë meritat për një raport njëvjetor, edhe pse zuri vetëm cerekfundin e vitit.“Z. Rama është kryeminister ne muajin e gjashtë dhe nuk ka një sukses për të demostruar. Keshtu ai kapet pas cdo lajmi të mirë dhë e paraqet si arritje të tij. Sot, përmes ministres Harito, na tha se permiresimi i renditjes së Shqipërisë për lirinë e shtypit për vitin 2013 (raporti vjetor i Reporterëve pa Kufij) është meritë e qeverisë socialisto-integriste. Edhe pse qeveria e tij zuri vetëm cerekfundin e vitit. Edhe pse e vetmja gjë që realisht ka bërë kjo mazhorancë eshtë tentative për të kapur AMA-n në favor të klientëve mediatikë. Gjithsesi ka precedent: progresraportin e propozimin pozitiv për statusin kandidat të Komisionit Europian të shpallur kur ishte dyjavë kryeministër e quajti meritë të tij; vendimin negativ të dhjetorit ja faturoi të gjithëve përvec vetes” thekson Pollo në fb.