Rritja e primit TPL, Shoqata e Siguruesve të Shqipërisë sqaron arsyet e vendimit
Shoqata e Siguruesve të Shqipërisë ka sqaruar vendimin për të rritur me 45 përqind çmimin e sigurimit të detyrueshëm të makinave. Në një deklaratë për mediat, Shoqata thekson se ky vendim ka ardhur nga rritja e skajshme të numrit të aksidenteve në rrugë, por jo vetëm.“Risku i cili transferohet pranë kompanive të sigurimit ecën në përpjestim të drejtë me kurbën rritëse të këtyre ngjarjeve dhe natyrisht që risku është elementi kryesor që përllogarit primin në një kontratë sigurimi. Për sa kohë situata aktualisht është e rëndë dhe me shumë risk natyrisht që edhe produkti i sigurimit do ti nënshtrohet marzhit të riskut të transferuar. Kjo është logjika teknike , ligjore e financiare e këtij procesi, ndaj çdo informacion i pa vërtetë dhe që ndikon në shndërrimin e tij nga proces tërësisht teknik , ligjor e financiar në një çështje bisedash në kohë të lirë do të përshkallëzonte negativisht raportin risk-prim-dëmshpërblim natyrisht në dëm të interesit financiar të, të siguruarve” thuhet në deklaratë.Sipas tyre, rritja ka ardhur edhe për shkak të rritjes së numrit të mjeteve që qarkullojnë në rrugë, shërbimit teknik të mjetit shpesh abuziv, infrastrukturës rrugore jo në standardet dhe parametrat e kërkuar e të nevojshëm, rritjes së numrit të mjeteve motorike që qarkullojnë të pasiguruara, rritjes artificiale të vlerave dëmshpërblyese me vendime gjyqësore.Shoqata e Siguruesve po ashtu ankohet se tregu i sigurimeve vazhdon që të jetë i parregulluar, ndërkohë që ata janë të vetmit në Europë dhe në rajon që paguajnë TVSH në masën 20 përqind.