Bregu me Presidencën e BE, Marcoullis: Ju mbështesim, por plotësoni kushtet

Shqipëria duhet të plotësojë masat kyçe të mbetura për ti hapur rrugë votimit të vendeve anëtare për dhënien e statusit të kandidatit në BE, pavarësisht vullnetit pozitiv të Qipros për të mbështetur rrugën integruese të Shqipërisë.Kështu është shprehur Ministrja e Jashtme qipriote gjatë një takimi me ministren e Integrimit Majlinda Bregu. Në këtë drejtim Ministrja qipriote Marcoullis, vlerësoi ecurinë e reformave që ka ndërmarrë Shqipëria në kuadër të plotësimit të 12 rekomandimeve të opinionit të Komisionit Europian.Nga ana e saj Ministrja Bregu falenderoi Ministren Marcoullis për mbështetjen e dhënë nga Qipro në proçesin integrimit të Shqipërisë në BE gjatë presidencës.Zonja.Bregu e njohu ministren qipriote me arritjet e Shqipërisë në kuadër të plotësimit të reformave në kuadër të planit të Veprimit për 12 rekomandimet e Komisionit Europian, si pjesë integrale e reformave te vazhdueshme që ka ndërmarrë Shqipëria prej disa vitesh.“Shqipëria ka plotësuar të gjithë detyrimet e parashikuar si masa kritike në bashkëpunim me Komisionin Europian, si heqja e imunitetit për zyrtarët e lartë, reformën zgjedhore dhe një sërë ligjesh me shumicë të cilësuar”, tha zonja. Bregu. “Ashtu sikurse është theksuar në Progres Raportin 2012, tashmë kanë mbetur pa plotësuar tre masa: rregullorja e parlamentit, ligji për Gjykatën e Lartë dhe ai për statusin e nëpunësit civil”-deklaroi Ministrja e Integrimit Majlinda Bregu.Ministrja Majlinda Bregu zhvilloi një vizitë zyrtare ne Qipro me ftesë të Ministres së Punëve të Jashtme të Qipros, znj. Erato Kozakou-Marcoullis në kuadër të Presidencës të Këshillit të BE.