Nishani në Budva: Intensifikim të dialogut politik mes 4 vendeve
Kreu i shtetit Bujar Nishani ka deklaruar sot në Budva se Shqipëria i kushton rëndësi të veçantë rritjes dhe forcimit të marrëdhënieve të gjithanshme të bashkëpunimit me të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor e sidomos me vendet fqinje të saj si: Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia.Në një deklaratë për shtyp, presidenti Nishani vlerësoi të katër takimet si shprehje e miqësisë së ngushtë midis katër vendeve tona dhe kontribut në formimin e marrëdhënieve të suksesshme dypalëshe dhe rajonale.“Ne mbetemi të angazhuar për intensifikimin në vazhdimësi të dialogut politik midis vendeve tona, nëpërmjet vijueshmërisë së praktikës së takimeve dhe vizitave të nivelit të lartë, siç është dhe ky takim i sotëm. Theksojmë domosdoshmërinë e intensifikimit të bashkëpunimit ekonomik e tregtar ndërmjet katër vendeve tona, ku përparësi përbëjnë ndërtimi i një infrastrukture moderne, realizimi i projekteve të përbashkëta, krijimi i një sistemi energjetik rajonal, fuqizimi i sistemit të komunikacionit dhe telekomunikacionit, lehtësimi i qarkullimit të mallrave dhe njerëzve, rritja e shkëmbimeve tregtare, intensifikimi i bashkëpunimit në fushën e kulturës, arsimit e shkencës, infrastrukturës, etj” theksoi Nishani.Ai ka theksuar më tej se çdo valë rritjeje apo krize ekonomike në kontinent natyrshëm reflektohet edhe në ekonomitë e vendeve tona prandaj sipas tij është i domosdoshëm zgjerimi i hapësirës ekonomike rajonale me atë evropiane, një prani më e madhe të programeve ekonomike të BE-së dhe shteteve kryesore përbërëse të saj, si edhe politika evropiane që asistojnë me teknologji e programe zhvillimi projektet e mëdha të infrastrukturës, energjetikës, informatikës, etj.“Në kuadër të interesit për thellimin e bashkëpunimit ekonomik, përparësi do të përbënte krijimi i një sistemi të unifikuar energjetik rajonal. Energjia përbën sot faktor të rëndësishëm zhvillimi, në nivel kombëtar, rajonal e global. Nënvizojmë rëndësinë për një promovim më të mirë të mundësive tona turistike, që do të bëjë të mundur shfrytëzimin më të plotë të kapaciteteve turistike jo vetëm nga qytetarët e vendeve tona, por edhe nga ata të vendeve të tjera të rajonit dhe Evropës” theksoi më tej Nishani.Ai gjithashtu ka vlerësuar faktorin shqiptar dhe minoritetet përkatëse të secilit nga të katër vendet të cilat sipas tij duhet të konsiderohen si ura të miqësisë. “Respektimi i plotë i të drejtave të tyre, arrihet nga demokratizimi dhe garanton paqen dhe stabilitetin ne rajonin tonë. Përkushtimi i vendeve tona ndaj vlerave të përbashkëta euroatlantike dhe evropiane përbën platformën e sigurt për zgjerimin dhe konsolidimin e mëtejshëm të marrëdhënieve midis vendeve tona. Ne besojmë se integrimi i plotë euroatlantik është në dobi të paqes dhe stabilitetit rajonal dhe Bashkimit Evropian. Vlerësojmë se është e domosdoshme mbështetja e Kosovës në nismat dhe projektet rajonale dhe më gjerë; si kontribut për paqen dhe stabilitetin në Kosovë, rajon dhe më gjerë” shtoi Nishani.