Bregdeti jonian pas shembjeve, qytetarët: Gërmadhat rrezikojnë sezonin turistik

Edhe pse prej disa ditësh fadromat e INUK janë larguar nga Vlora, gjurmët e tyre të lëna pas, janë mëse prezente. Gërmadha të mbetura, trotuare të shkatërruar, baltë nga të gjitha anët, është ajo ç'farë ofron sot qyteti bregdetar për cilindo person që do të shëtisë buzë detit. Pavarësisht se në këtë zonë u ndërhy për largimin e inerteve, sërish ato vazhdojnë të jenë prezente duke ja tjetërsuar imazhin kësaj zone turistike.Banorët shprehen se në këtë sezon Shqipëria do të prezantohet tek turistët me këtë pamje aspak të përshtashme për një qytet, që gjatë verës thith me mijëra turiste nga të gjitha vendet e rajonit.Aksioni i INUK pritet të rikthehet sërish në Vlorë ku është përcaktuar edhe harta e objekteve të cilat do të shemben. Pak ditë më parë operatorët turistikë të rajonit jugor shprehën shqetësimin e tyre mbi këtë gjendje që mbizotëron në Vlorë, e cila rrezikon seriozisht sezonin dhe dështimin e tij në qoftë se nuk ndërhyet në mënyrë urgjente. Bregdeti jonian mbetet një nga perlat e e vendit tonë, por në këto kushte kurrsesi ai nuk mund të ofrojë rreth vetes turistë apo vizitorë.