Bushati: Shqipëria, pjesë e strategjisë së BE-së për makro-rajonin Adriatiko-Jonian
Gjatë ditës së sotme, u mbajt në Athinë Konferenca evropiane dedikuar Strategjisë së BE-së për Rajonin e Adriatikut dhe Jonit (European Union Strategy for the Adriatic and Ionian Region).Gjatë konferencës, Ministri Bushati prezantoi arritjet e Ministerialit të organizuar në kuadër të Presidencës shqiptare të Nismës Adriatiko-Joniane (NAJ)."Shqipëria ka si objektiv qendror të kryesimit të saj gjetjen dhe promovimin e sinergjive midis NAJ-it dhe strategjisë së makro-rajonit të BE-së" tha Bushati.Në ditën e fundit të qëndrimit të tij në Athinë, Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, kreu një takim me Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Greqisë, zotin Evangelos Venizelos.Ministri Bushati falënderoi zotin Venizelos për inkurajimin dhe mbështetjen e tij dhe të institucionit që ai drejton në organizimin e suksesshëm të Takimit të Këshillit të Ministrave të Nismës Adriatiko Joniane, në bashkërendim dhe harmoni të dy presidencave: Presidencës greke të Bashkimit Evropian dhe Presidencës shqiptare të Nismës Adriatiko-Joniane.
Ministri Bushati u shpreh se “zhvillimi i këtyre veprimtarive nxori në pah, ndër të tjera, se Shqipëria dhe Greqia, së bashku me vendet e tjera dhe partnerët ndërkombëtarë ndajnë interesa dhe angazhime të përbashkëta për përparimin dhe rritjen ekonomike, si dhe forcimin e stabilitetit të rajonit”.Duke theksuar rëndësinë vendimtare të perspektivës evropianë të Shqipërisë dhe vlerën strategjike të partneritetit dhe bashkëpunimit me Greqinë, Ministri Bushati, vlerësoi vizionin e presidencës greke për përshpejtimin e integrimit evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor, si shenjë e kontributit të vazhdueshëm të Greqisë për stabilizimin dhe ankorimin përfundimtar të rajonit në rrjedhat evropiane.Ministri Bushati shprehu vullnetin e qartë të Shqipërisë për të biseduar dhe trajtuar të gjitha çështjet me ndikim të drejtpërdrejt për qytetarët tanë, që nuk kanë marrë ende zgjidhje.Ministri Venizelos theksoi se “raportet mes dy vendeve tona janë të një rëndësie strategjike dhe se intensifikimi i tyre përbën interes të ndërsjellë”. Gjithashtu ai shprehu bindjen që Shqipërisë t’i jepej statusi i vendit kandidat brenda presidencës greke të BE-së.Me bindjen se fluksi i kontakteve do të vijojë me të njëjtat ritme, Ministri Bushati, u shpreh se mirëpret vizitën e afërt në Tiranë të Zotit Venizelos, gjatë turit ballkanik, të programuar në kuadër të presidencës së radhës së BE-së.Në këtë kontekst, u vlerësua se partneriteti parësor politik dhe strategjik mes dy vendeve përfton një dimension të ri, atë evropian, duke promovuar më tej proceset integruese të Shqipërisë me familjen evropiane.