Gjiknuri,Goldstein: Zgjidhje sa më të shpejtë të konfliktit me kompaninë CEZ

Ministri i Energjisë dhe Industrisë,Damian Gjiknuri priti në një takim Drejtoreshën e Bankës Botërore për Evropën Juglindore Ellen Goldstein.Gjatë këtij takimi, Ministri Gjiknuri u ndal tek situata në sistemin energjitik të vendit dhe angazhimet e ndërmarra nga qeveria për të zgjidhur çështjen e zinxhirit të borxheve mes operatorëve.Ministri ju referua reformave që duhet të ndërmerren gjatë vitit në kuadër të legjislacionit në fushën e energjisë. Gjiknuri garantoi se strukturat e Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë po punojnë për të krijuar bazën ligjore në përputhje me direktivat ndërkombëtare.Një temë e veçantë ishte ajo e gjendjes së sistemit të shpërndarjes, ndërsa Ministri prezantoi nismën e qeverisë për ngritjen e një Task Force e cila synon që të rrisë nivelin e arkëtimeve dhe të reduktojë nivelin e humbjeve në rrjet.Ministri Gjiknuri dhe Zonja Goldstein mbështetën zgjidhjen sa më të shpejtë të konfliktit rreth kompanisë CEZ Shpërndarje çka sipas tyre i hap rrugën investimeve të mëtejshme.Gjiknuri falënderoi drejtuesit e Bankës Botërore për rolin që po luajnë dhe mbështetjen që i kanë dhënë Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë dhe qeverisë shqiptare në përpjekjen për të stabilizuar situatën në sistemin energjitik.