Shqipëria pjesë e Creative Europe
Sipas një njoftimi të Ministrisë së Kulturës së datës 7 Shkurt 2014, Shqipëria i është shtuar listës së vendeve që kanë të drejtë të përfitojnë nga programi Creative Europe, duke u listuar në nën-programin Kulturë. Creative Europe është një program nën kujdesjen e Bashkimit Evropian që ka si qëllim mbështetjen dhe dhënien e fondeve për artistë dhe organizata që japin kontributin e tyre në fushën e artit dhe kulturës duke tentuar daljen jashtë kufijve të tyre kombëtarë dhe bashkëpunimin ndërkulturor mes artistësh dhe organizatash, me synim intensifikim të mëtejshëm marrëdhëniesh dhe bashkëveprim të ndërsjelltë në fushën e artit dhe kulturës të vendeve anëtare të BE me vendet jo anëtare.Sipas njoftimit të ministrisë, të gjitha organizatat, artistë apo institucione të ndryshme që kanë në fokus të veprimtarisë së tyre zhvillimin e artit dhe kulturës, ruajtjen dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore apo të interesuar në programe të ndryshme përkthimi, mund të aplikojnë për të gjitha programet për dhënie fondesh dhe mbështetje nga BE që ky program do të ofrojë.Shqipëria renditet në listën e vendeve jo anëtarë të BE-së që kanë të drejtë të aplikojnë në çdo program që Creative Europe publikon nën programin Kulturë, pasi Creative Europe përfshin edhe kategoritë media dhe bashkëveprimi ndërsektorial. Programi ka startuar zyrtarisht në muajin janar 2014, është parashikuar të përfundojë në muajin Dhjetor 2020 dhe për të është parashikuar një fond prej 1.46 miliardë euro në total për 7 vitet e ardhshme ndërsa 500 milionë euro për kategorinë kulturë. Në listë bashkë me vendin tonë renditen edhe Maqedonia, Moldavia, Serbia dhe Turqia.