Rama inspekton punimet te Rruga e Elbasanit:Problem rrugët pa standarte

Kryeministri Edi Rama i shoqëruar edhe nga ministri i Transportit dhe Infrastrukturës  Edmond Haxhinasto inspektuan sot punimet në segmentin rrugor për zgjerimin e rrugës së Elbasanit, pranë Fakultetit Filologjik.Në fjalën e tij, kryeministri Rama se tashmë kantieret e mbetura peng si pasojë e borxheve që shteti u kishte kompanive kanë nisur punën por mbetet problem sipas tij projektet pa standarte të rrugëve."Zhbllokimi i kantiereve të mbetura peng në gjirin e borxheve  ka nisur por është vetëm njëra pjesë e problemit me të cilin ne përballemi sot, pjesa tjetër e problemit janë projekte mizerabël, pa standarte, pa specifikime dhe pa asnjë qasje bashkëkohore në kushtet kur qytetetarët e këtij vendi dhe ky vend meriton shumë më tepër.  Kjo do të thotë që ne nga njëra anë do të bëjmë çmos që gjithë këtë punë të saponisur ta vendosim më shinat e duhura të respektimit të afateve dhe cilësisë dhe nga ana tjetër të  mund të rehabilitojmë çfarë është e mundur në kushtet ku tani më një pjesë e mire e gjërave janë të palëvizshme pasi projektet janë bërë dhe punët kanë nisur ashtu shatra patra si zakonisht" tha Rama.Gjithashtu Rama premtoi edhe cilësi në ndërtimin e rrugëve duke theksuar se ato do t`i përgjigjen ambicies së qytetarëve për të pasur rrugë europiane."Kjo është një rrugë shumë e rëndësishme qoftë për kryeqytetin e Shqipërisë, por është e rëndësishme në funksion të ndërtimit të një modeli të ri dhe të një qasje të re sa i përket infrastructures. Besoj se në fund të gjithë do të jenë në gjendje të bëjnë dallimin dhe do të vednosim një gur themeli  në një rrugë të re të projektimit, të zbatimit, të monitorimit dhe në fund fare të  përputhjes së shpenzimeve që bëhen me paratë e shqiptarëve,  me ambicien e shqiptarëve  për të pasur një rrugë europiane dhe jo një vend në mes të Europës ku rrugët janë faqja më e zezë" përfundoi Rama.